Nushi, figurë e shquar e shkencës, arsimit dhe të kulturës në Kosovë
Prishtinë, 2 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Nushi dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Pajazit Nushit, një ndër figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe të kulturës në Kosovë.
“Ndarja nga jeta e Pajazit Nushit është një humbje shumë e madhe për familjen, për shkencën, arsimin, kulturën dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Akademik Nushi, me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ka dhënë kontribut shumëdimensional për Kosovën, duke qenë ndër të tjera edhe një figurë e spikatur në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. Me jetën dhe veprën e tij, akademik Pajazit Nushi, do të mbetet përherë në memorien e popullit të Kosovës si një nga personalitetet më të shquara të kohës sonë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Isa Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nushi, kolegëve, miqve dhe dashamirëve të shumtë anekënd Kosovës, dhe më gjerë.