Norvegjia do të përkrah arsimin në Kosovë
Prishtinë, 13 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka pritur sot ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, me të cilin ka biseduar për prioritetet në punën e tij dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Ministri Bajrami falënderoi ambasadorin Braathu për ndihmën e madhe që ka dhënë shteti norvegjez në arsim, sidomos në ngritjen e Qendrave të Kompetencës në Skenderaj dhe Malishevë.
Ministri Bajrami theksoi faktin se arsimi tashmë po bëhet prioritet i Qeverisë së re, ndërsa tha se prioritet në punën e tij si ministër është ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.
Sa i përket arsimit të lartë, ministri e informoi ambasadorin norvegjez se jemi në prag të fillimit të debatit për ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe tha se me këto ndryshime që planifikohen, do të sigurohet autonomi e plotë për universitetet.
Gjatë këtij takimi, ministri Bajrami vuri theksin edhe te arsimin profesional, për të cilin segement, po ashtu tha se do të ketë vëmendje të madhe.
Edhe ambasadori i Norvegjisë, z. Braathu, premtoi bashkëpunim të mëtutjeshëm, me qëllim të arritjes së synimit për cilësi në arsim, ndërsa tha se arsimi dhe aftësimi profesional i të rinjve të Kosovës, por edhe i çdo vendi tjetër është shumë i rëndësishëm, sepse kështu ata më lehtë mund të jenë në treg të punës.