Nis mbarë viti i ri shkollor 2015/2016
Kaçanik, 1 shtator - Procesi mësimor sot ka filluar mbarë në të gjitha shkollat e komunës së Kaçanikut, përveç në Shkollën Fillore “Idriz Seferi” në Bob, ku mësimi pritet të fillon ditën e enjte.
Përmbyllja e punëve finale në ngrohjen me avull të objektit shkollor ka shkaktuar vonesën për dy ditësh të fillimit të procesit mësimor në këtë vatër arsimore. Kryetari i Komunës, Besim Ilazi i shoqëruar nga z. Enver Kamishi, drejtor i Drejtorisë së Arsimit e Kulturës, sot ka ndarë bashkë me nxënësit dhe arsimtarët gëzimin dhe emocionet e ditës së parë të shkollës.
Kryetari Ilazi ka takuar dhe përshëndetur nxënësit dhe arsimtarët e Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Kaçanik, ata të Shkollës Fillore “Jusuf Gërvalla” në Biçec dhe ata të shkollës fillore “Qamil Ilazi” në Kaçanik të Vjetër. Drejtorët e shkollave të sipërpërmendura e kanë njoftuar kryetarin Ilazi për fillimin e mbarë të vitit shkollor dhe përgatitjet teknike që janë bërë për fillimin e procesit mësimor.
Procesi mësimor në Komunën e Kaçanikut zhvillohet në 4 nivele arsimore, në atë parafillor, fillor, i mesëm i ultë dhe i mesëm i lartë, në gjithsej 12 shkolla amë nëntëvjeçare dhe 13 paralele të ndara fizike, dy shkolla të mesëm dhe një qendër parafillore. Sivjet rreth 5,100 nxënës filloristë do të ulen në bankat shkollore, prej tyre rreth 500 fatos të cilët për herë të parë do të belbëzojnë abc-në, ndërsa rreth 1200 të tjerë do të nisin betejën për njohuri të reja në shkollat e mesme