Nis konferenca ndërkombëtare për ekonominë e arsimit në Kosovë
Nga konferenca dyditore e organizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), pritet të dalin rekomandime, të cilat do tju shërbejnë politikbërësve të nivelit qendror, komunal, por edhe të vet shkollave për të ardhmen e arsimit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Punimet e konferencës i hapi ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili tha se kjo konferencë është një ngjarje e veçantë dhe shumë e rëndësishme për sistemin e arsimit në Kosovë, sepse organizohet për herë të parë në rajon.
Kjo është një kohë e rëndësishme për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, meqë jemi të angazhuar në zhvillimin e një shoqërie të dijes, duke ndërtuar një sistem arsimor gjithëpërfshirës, të cilësisë së lartë, tha ministri Buja, ndërsa theksoi se kjo po ndodhë pas arritjeve të rezultateve të shumta në zhvillimin e reformave, legjislacionit dhe infrastrukturës shkollore, që të gjitha këto në një periudhë relativisht të shkurtër.
Ministri Buja, poashtu tha se kjo ngjarje po organizohet në momentin kur ne kemi identifikuar nevoja të mëdha për zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit, rrjedhimisht përshtatjes së nevojave të tregut.
Ministri i Arsimit, theksoi se cilësia në arsim është thelbësore për zhvillim të kapitalit human dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ajo u mundëson të gjithëve të zhvillojnë talentin dhe kompetencat e duhura për nevojat e tregut të punës dhe mobilitetit evropian dhe të marrin pjesë në mënyrë efektive për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë.
Ministri Buja përmendi faktin se Kosova është një vend i vogël dhe me buxhet jo të mjaftueshëm për investim në arsim.
Mirëpo, ai tha se me burimet që kemi, si vend me popullsinë më të re në Evropë, ne mund të themi se kemi një pasuri, e cila duhet të përgatitet profesionalisht për kërkesat në rritje nga sektori i biznesit, të cilën nëse nuk mund ta menaxhojmë dhe ta përgatisim mirë për të ardhmen do të na shndërrohet në sfidë.
Ministri Buja tha se Qeveria e Kosovës e ka renditur arsimin në krye të prioriteteve dhe, ajo çka është shumë e rëndësishme, familjet kosovare nuk kursejnë të investojnë për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve. Ai falenderoi edhe partnerët zhvillimor për ndihmën që kanë dhënë në zhvillimin e arsimit.
Por, për të vazhduar më tutje në drejtim të rritjes së cilësisë në arsim na duhet edhe më tej ndihma e partnerëve, prandaj shfrytëzoj rastin tu bëjë thirrje donatorëve që të rrisin investimet në arsim, sepse investimet sjellin dimensione krejt të reja në arritjet e nxënësve dhe cilësisë në arsim.
Ndërsa, ambasadori gjerman në Prishtinë, Peter Blomeyer, tha se qasja universale në arsimin fillor është një nga synimet e zhvillimeve të mijëvjeçarit. Ai theksoi se arsimimi cilësor është çështje kyçe për zhvillimin ekonomik dhe për rritjen ekonomike, ndërsa tha se arsimimi i brezave të ardhshëm nënkupton investim.
Sot Kosova e gjen veten në një situatë të veçantë, papunësia rritet veçanërisht në mesin e të rinjve dhe ne po diskutojmë sa i përket emigrimit për shkaqe ekonomike, që po e dobëson edhe më tej këtë shtet të ri. Tani është koha për të reflektuar se si tu ofrohen atyre mundësitë dhe stimuj që të qëndrojnë këtu dhe të kenë perspektivë në shtetin e tyre, theksoi ambasadori Blomeyer.
Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, tha se investimet në arsim garantojnë cilësi të fuqisë së ardhshme punëtore si dhe rritje të shpejtë e të qëndrueshme ekonomike.
Në konferencë, punimet e së cilës do të zgjasin edhe nesër, po marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe vendeve të rajonit, përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit, udhëheqës të institucioneve të arsimit publik e privat, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të arsimit nga vende të ndryshme të botës.
Konferenca do të vazhdojë punimet edhe nesër.