Nis hartimi i planit zhvillimor të Fakultetit të Edukimit
Prishtinë, 26 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë në punëtorinë planifikuese të Fakultetit të Edukimit (FE), ku gjatë dy ditëve do të hartohet Plani Zhvillimor i Fakultetit të Edukimit 2013-2018.
Me këtë rast, ministri Buja ka përgëzuar menaxhmentin, pedagogët dhe profesorët e FE-së për këtë nismë, e cila do të jetë në të mirë të realizimit praktik të vendimit të MAShT-it për transformimin e këtij institucioni.
Nëse e kemi bërë një mësues të mirë, e kemi ndërtuar një të ardhme të mirë të shoqërisë. Për ndërtimin e një mësimdhënësi të mirëfilltë të synimit tonë për shekullin 21, do të nevojiten së paku 5 vite, andaj plani i juaj strategjik 2013 -2018 , sigurisht se do jetë konform Strategjisë së Arsimit 2011-2016 dhe do të sjellë rezultatet e duhura, tha ministri Buja.
Ministri ka premtuar mbështetjen e MAShT në implementim të këtij plani dhe shtoi se ky institucion ka kapacitetet profesionale për këtë qëllim.
Në vazhdim, ministri Buja tha se kohët e ndryshimeve të mëdha teknologjike, kërkojnë më shumë angazhim dhe më shumë profesionalizëm për të ecur në trend me zhvillimet teknologjike, ku shpeshherë ndodhë që studenti, apo nxënësi të jetë më i avancuar se profesori.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe prorektori i UP-së z. Avdulla Alija, i cili gjithashtu konfirmoi mbështetjen rektoratit të UP-së në hartimin dhe realizimin e këtij plani strategjik.
Në fund, ministri Buja foli edhe për testin e maturës me ç`rast tha: Synimi i MAShT është që në të ardhmen, testin e maturës ta bëjë të ngjashëm me testin e arritëshmërisë, me çka do të krijoheshin mundësitë për të gjithë ata maturantë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet, tha ministri Buja.