25 Dhjetor 2024

Nis fushata vetëdijesuese për arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Prishtinë, 9 tetor - Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Nehat Mustafa me bashkëpunëtorë dhe përfaqësues nga organizata “Save dhe Children”, morën pjesë në hapjen e fushatës së përbashkët, me qëllim të vetëdijesimit mbi të drejtën e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe arsimin gjithëpërfshirës.

Zëvendësministri Mustafa, me këtë rast, ka zhvilluar një takim me drejtorët e institucioneve parashkollore në Gjilan, ku ka theksuar se në Kosovë janë rreth 6100 fëmijë që janë identifikuar si fëmijë me nevoja të veçanta arsimore.

Zv/ministri Mustafa tha se, supozohet që numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në arsim është më i madh, por që nuk janë regjistruar.

“Është e pamundur që vetëm institucionet arsimore ta konstatojnë një gjë të tillë. Do të ishte e udhës që në të ardhmen, MAShT në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë përmes ndonjë memorandumi të veçantë, të obligojë Qendrat e Mjekësisë Familjare, që të informojnë institucionet arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta, përmes vizitave te pediatri”, ka theksuar ai.

Zv/ministri Mustafa theksoi se politikat e Ministrisë së Arsimit, sa i përket gjithëpërfirjes janë njëra prej pikave që është vlerësuar pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare.

“Fakti që sot çdo fëmijë me nevoja të veçanta mund të jetë pjesë e shkollave të rregullta, duke mos u trajtuar si fëmijë më ndryshe nga të tjerët, tregon se sa shumë është duke u punuar në ngritjen e vetëdijes së opinionit. Ende nuk e  kemi gjendjen ideale, por krenohemi shumë me punën që është bërë”, ka thënë ai.

Drejtori i organizatës “Save dhe Children” për Kosovë, Ahmet Kryeziu ka thënë se, Kosova deri më tani ka arritur një progres të jashtëzakonshëm sa i përket gjithpërfshirjes, falë angazhimit të stafit mësimdhënës dhe përkrahjes së Ministrisë së Arsimit.

Aktorja e njohur Yllka Gashi, e cila është edhe ambasore e “Save the Children” për fëmijët me nevoja të veçanta theksoi se  “është një nder i madh t’i bashkohem ‘Save the Children’ për të ndihmuar më shumë fëmijëve me nevoja të veçanta që të kenë qasje në arsimim cilësor parashkollor dhe fillor”.

Kopshti i fëmijëve “Integj” ku është bërë hapja zyrtare e kampanjës deri më tani ka trajtuar njëzet fëmijë me nevoja të veçanta në arsim, ku 11 prej tyre janë regjistruar në shkolla të rregullta, 1 në klasë të bashkëngjitur, ndërsa 8 prej tyre ende janë duke u trajtuar në këtë institucion.

Fushata vetëdijesuese, e cila ka filluar sot, do të zgjasë tri javë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)