Nis edicioni i dytë i shkollës së zhvillimit njerëzor në Kosovë
Prishtinë, 15 prill - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe kolegji universitar Universum nisin edicionin e dytë të shkollës për zhvillim të qëndrueshëm njerëzor në Kosovë dhe rajon.
Minsitri i Diasporës, Ibrahim Makolli me një fjalë rasti zyrtarisht hapi sot edicionin e dytë të shkollës për zhvillim të qëndrueshëm njerëzor në Kosovë dhe rajon. Shkolla organizohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe kolegji universitar Universum.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin zyrtarë të lartë të UNDP-së dhe Universum-it dhe përfaqësues universitarë, të shoqërisë civile dhe institucioneve të Kosovës së bashku me studentë të përzgjedhur nga të gjitha universitetet e Kosovës që do të marrin pjesë në kursin dhjetë ditësh që për qëllim kryesor ka studimin e ndikimit të mobilitetit në trendet aktuale dhe atyre në zhvillim e sipër të zhvillimit njerëzor.
Gjatë kursit dhjetë ditësh ekspertë dhe profesionistë kombëtar dhe ndërkombëtar të fushave të ndryshme, përfshirë përfaqësues të qeverisë së Kosovës, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit do të ligjërojnë mbi Mobilitetin si Forcë për Zhvillim përfshirë pengesat lidhur me liberalizimin e vizave në Kosovë.
Kursi do të përbëhet nga ushtrime praktike dhe studentët do të kenë në dispozicion bibliotekën elektronike dhe forumin on-line për të marrë pjesë në diskutime që do të drejtohen nga facilitatorë tematik. Në fund të shkollës së sivjetme do të shpërblehen tri punimet më të mira studentore.