Nis bashkëpunimi mes UBT dhe Universitetin Parthenope të Napolit
Prishtinë, 24 prill - Ka filluar zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) dhe Universitetit Parthenope në Napoli të Republikës së Italisë, nënshkruar muaj më parë.
Fillimisht, në bazë të marrëveshjes së arritur, të dy universitetet do të zhvillojnë projekte të përbashkëta hulumtuese në fushën e përgjegjësive sociale, produkteve vendore, kryesisht në sferën e ekonomisë, projekte për të cilat ka shumë nevojë, sidomos në vendin tonë, por edhe përmes të cilave studentët marrin përvojat pozitive nga ekonomia evropiane.
Në këtë projekt, përveç tjerave do të ketë edhe hulumtime tjera të involvura edhe Republika e Italisë dhe universitete tjera partnere.
Marrëveshja mes UBT-së dhe Universitetit Parthenope mundëson bashkëpunimin ndëruniversitar në të gjitha nivelet e studimit e sidomos në fushën e doktoratës.
Po ashtu, ajo parasheh shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, organizimin e seminareve dhe takimeve të tjera akademike për çështje shkencore, përdorimin e bibliotekave përkatëse për nevoja të studimeve dhe hulumtimeve shkencore, programet e studimit në distancë, zbatimin e përbashkët të programeve postdiplomike, aktivitete lidhur me kurset verore dhe takime të tjera akademike për çështje të rëndësishme për të dy institucionet dhe të dy vendet.