Nevojitet një strategji e reformimit të sistemit arsimor parauniversitar
Prishtinë, 22 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti sot është takuar me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, me të cilët ka biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje pas gjendjes së krijuar në arsimin parauniversitar të kësaj komune, si pasojë e mosvijimit të procesit mësimor nga nxënësit e disa shkollave.
Fillimisht, kryeministri Hoti e ka përgëzuar kryetarin Kastrati për nisëm e ndërmarrë, me qëllim të reformimit dhe avancimit të arsimit në këtë komunë, duke theksuar se vendit i nevojitet një strategji nacionale e reformimit të sistemit arsimor parauniversitar.
Mirëpo, kryeministri Hoti, po ashtu, ka theksuar se institucionet e vendit, qendrore dhe lokale, janë të obliguara të krijojnë kushte për përfshirjen e të gjithë nxënësve në procesin mësimor. Prandaj, nga ministri Likaj dhe kryetari Kastrati, ai ka kërkuar që të shqyrtohen të gjitha mundësitë, në mënyrë që nxënësit e shkollave, të cilat nuk janë duke mbajtur mësim, të rikthehen sa më shpejt në mjediset shkollore, ndërkohë që institucionet e vendit zotohen se do të punojnë për një reformë të përgjithshme të sistemit arsimor parauniversitar, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe me domosdoshmërinë e ndërtimit të një sistemi edukativ arsimor bashkëkohor, sipas standardeve më të larta të vendeve të zhvilluara europerëndimore.