Nesër mbahet pjesa e dytë e provimit të maturës
Prishtinë, 14 qershor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të ditur se nesër, do të mbahet pjesa e dytë e Provimit të Maturës Shtetërore nga lëndët e përafërta me drejtimin, për rreth 34 mijë maturantë, të cilët do të testohen në 305 qendra.
Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Qëndror Shtetëror të Maturës (KQSHM), tha se pas organizimit me sukses të ditës së parë të Provimit të Maturës, MAShT ka bërë të gjithë përgatitjet që edhe dita e dytë e Provimit të shkojë sipas planit të paraparë.
Në kuadër të këtyre përgatitjeve, Mustafa përmendi se për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 2500 administrues dhe mbi 900 anëtarë të komisioneve në Qendrat e Testimit.
Ndërsa, të gjitha Qendrat e Testimit do të jenë të mbuluara me së paku 2 përfaqësues nga tri universitetet publike të Republikës së Kosovës (mbi 600).
Policia e Kosovës edhe këtë vit ka mbështetur organizimin e Testit të Maturës duke siguruar transportin e testeve nga Ministria në Qendrat e Testimit dhe anasjelltas, dhe sikur edhe në ditën e parë, policia do të sigurojë këto qendra gjatë kohës është duke u mbajtur testi.
Testi fillon në orën 10:00 në të gjitha qendrat dhe zgjatë 180 minuta. Nxënësve iu lejohet që të kenë me vete vetëm laps grafit HB dhe një shishe ujë të pijes.