Nesër fillon greva në arsim, nxënësit orën e parë mos të shkojnë në shkollë
Prishtinë, 13 shkurt - Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) përmes një komunikate ka bërë thirrje për nxënësit që të mërkurën në orën e parë në të dyja ndërrimet mos të shkojnë në shkollë.
"Të nderuar prindër dhe nxënës në tërë Kosovën, SBASHK-u ka bërë dhjetëra takime me përfaqësuesit më të lartë të Kosovës në përpjekje që çështjet dhe marrëveshjet e arritura më herët të realizohen përmes dialogut, por Qeveria nuk reflektoi dhe ne jemi të detyruar të nisim me veprime sindikale."
"Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe apelojmë që të mërkurën , më 14 shkurt nxënësit mos të jenë në shkollë në orën e parë në të dy ndërrimet. Ata le të jenë në vatrat e tyre të diturisë në kohën e duhur për të nisur orën e dytë", thekson SBASHK.
Nëse gjendja sipas tyre nuk ndryshon, atëherë edhe të martën, më 20 shkurt nxënësit mos të jenë në shkolla në dy orët e para të të dy ndërrimeve, por të shkojnë me kohë për të nisur mësimin në orën e tretë.
"Këtë apel e bëjmë për hir të sigurisë së nxënësve tanë ngase mësimdhënësit janë në grevë dhe nxënësit në oborre shkollash, apo pa mësimdhënësit në klasë, do të sfidohen nga ndonjë zënkë a rrezik tjetër", thuhet ne njoftimin e SBASHK.
Në njoftim thuhet se këtë vendim e kanë marrë pasi sipas tyre Qeveria e Kosovës nuk mbajti fjalën në raport me punëtorët e arsimit.
"Prindër të nderuar kudo jeni në tërë Kosovën, kryetar i nderuar i Këshillit të Prindërve, Bajram Beqiri, SBASHK-u këto veprime po bën në përpjekje për ta realizuar Qeveria borxhin ndaj punëtorëve të arsimit që me mund e sakrifica mbajtën gjallë arsimin shqip duke kundërshtuar fuqishëm me shkumësa, libra e me zemër, tendencën e pushtuesit serb për zhdukjen e arsimit dhe kulturës shqipe gjatë viteve të okupimit."
"Prindër dhe nxënës të nderuar na përkrahini në këtë përpjekje tonën për hir të respektit për mësimdhënësit e asaj kohe", thuhet ne fund te njoftimit te SBASHK.