29 Dhjetor 2024

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit me Projektin ALLED

Prishtinë, 26 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arben Abrashi, Christian Geositas nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA)  dhe partnerë të tjerë nga Projekti ALLED “Harmonizimi i Arsimit me Kërkesat e Tregut të Punës”, nënshkruan sot Memorandum Mirëkuptimi, i cili pritet që të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit profesional dhe avancimin e shkencave ekzakte.

Ministri Bajrami, nënshkrimin e këtij memorandumi e vlerësoi të rëndësishëm për Qeverinë e Kosovës, sa i përket zbatimit të projektit kombëtarë për përmirësimin e cilësisë në arsim dhe zhvillim ekonomik.

“ Përmes këtij projekti do të sigurojmë arsimim profesional me standarde evropiane dhe punësim. Ka ardhur koha që sistemi arsimor nga niveli parauniversitar, sidomos arsimi i lartë të përgatis njerëz, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi ministri Bajrami, ndërkaq shtoi se, rezultatet e këtij projekti do të kenë ndikim të rëndësishëm në hartimin e politikave të ministrive partnere, MAShT dhe MPMS, në mënyrë që përmes reformimit të arsimit profesional të sigurohet punësim.

Ministria Bajrami, ndër të tjera theksoi se, MAShT tashmë ka filluar projektet strategjike për orientimin e nxënësve dhe studentëve drejt shkencave ekzakte, siç janë: Inxhinieria Mekanike, Bujqësia dhe Teknologjia Ushqimore.

Ndërsa, ministri Abrashi tha se Projekti ALLED është një fillim i mbarë për uljen e papunësisë dhe ndërlidhjen e ofertës me kërkesën.

“Ekziston vullneti i dy ministrive përkatëse MAShT dhe MPMS për të krijuar një kulturë bashkëpunimi për t’ i shtyrë proceset, sa i përket avancimit të arsimit profesional”, theksoi ministri Abrashi, i cili foli edhe për rëndësinë e këtij projekti, në përshtatjen e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës.

Christian Geositas nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) tha se, rregullimi i tregut të punës përmes trajnimit të kuadrove të përgatitura mirë, janë synimi kryesorë i këtij projekti.

Në anën tjetër, Stergios Teragoudas nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, vlerësoi se,  është e rëndësishme për një shtet i cili ka potencial kaq të madh, që të adresoj mospërshtatjen që ekziston në mes të aftësive të cilat fitohen në arsimin e lartë dhe aftësive që kërkohen nga tregu i punës.

Projekti ALLED ka një buxhet prej 3,5 milion euro dhe financohet nga Bashkimi Evropian, me bashkëfinancim nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, me fokus në: përshtatjen e sistemit arsimor me tregun e punës, ndërtimin e kurrikulave apo programeve mësimore kompatibile, me synim për të krijuar njerëz të shkathtësive dhe kompetencave dhe përkrahjen e shkollave dhe universiteteve me pajisje dhe trajnime në përgatitjen e mësimdhënësve, në përputhje me standardet evropiane.

Ndryshe, nënshkrues të Memorandumit të Mirëkuptimit janë edhe UP, tetë shkolla të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, tetë Drejtori Komunale të Arsimit dhe Qendrat për Aftësim Profesional.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)