Nënshkruhet Kontrata e Punës për Mësimdhënës
Prishtinë, 11 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të nënshkrimit të Kontratës së Punës për Mësimdhënës, e cila do të jetë unike për të gjithë mësimdhnësit e nivelit parauniversitar në Republikën e Kosovës.
Promovimi i Kontratës së Përhershme është hap i rëndësishëm i përkushtimit të Qeverisë së Kosovës, për të rikthyer rolin e mësimdhënësve në edukimin e brezave të rinj, theksoi ministri Bajrami dhe përmendi faktin se arsimi do të jetë prioritet kombëtar i kësaj Qeverie.
Pas investimit që ka bërë Qeveria e kaluar në përmirësimin e pozitës materiale, në kthimin e dinjitetit të profesionit të mësuesit, në kthimin e krenarisë së edukatorit dhe mësuesit, sot po bëjmë edhe një hap duke promovuar një kontratë të përhershme model, që ka qenë një nga kërkesat e Kontratës Kolektive me Sindikatën e Arsimit.
Ministri Bajrami tha se, tashmë janë bërë hapat e parë në funksion të ngritjes së cilësisë dhe kualitetit në mësimdhënie, duke përqendruar tërë kapacitetet e Ministrisë së Arsimit vetëm në këtë drejtim dhe duke bartur në kompetëncë të komuanve çështjen e rregullimit të infrastrukturës shkollore.
Ministri Bajrami, po ashtu vlerësoi se Kontratrata e Përhershme e Punës do ti mbrojë mësimdhënësit dhe të drejtat e tyre, porse nuk do ti lirojë ata nga vlerësimi i performancës, cili do të jetë permanent dhe i cili është ndërtuar përmes procesit të trajnimit dhe licencimit.
Mësimdhënësja e Shkollës së Mesme të Lartë Hysni Zajmi në Gjakovë, Eldita Mullahasani vlerësoi se, fakti që ajo është njëra nga nënshkrueset e para të Kontratës për Mësimdhënësit e bënë atë edhe më përgjegjëse ndaj punës së saj.
Pata fatin dhe privilegjin që të jem njëra nga nënshkrueset e para të kësaj Kontrate, me shpresë se do të punojmë edhe më shumë, të avancojmë procesin edukativo-arsimor. Kjo Kontratë na bënë të ndihemi sa të privilegjuar, aq edhe të detyruar ndaj obligimeve tona, duke shpresuar se do ta zbatojmë ashtu siç duhet dhe siç e kërkon detyra e mësimdhënësit, u shpreh ajo.
Kontrata e Punës për Mësimdhënës është përgatitur nga MAShT në bashkëpunim me DKA-të.