Në Universitetin e Mitrovicës do të pranohen 1430 studentë
Mitrovicë, 28 qershor - Në vitin akademik 2016/17 në Universitetin e Mitrovicës Isa Boletini (UMIB), do të pranohen 1430 studentë. Për këtë është vendosur në mbledhjen e fundit të Senatit të UMIB-it, ku janë dhënë dhe janë miratuar propozimet e gjashtë fakulteteve ekzistuese për numrin e studentëve që do të pranohen.
Në nivelin bachelor në Fakultetin e Gjeoshkencave do të pranohen gjithsej 180 studentë (Gjeologji - 60 studentë, Xehetari dhe Metalurgji 60 studentë). Ndërsa në nivelin master në këtë fakultet do të pranohen gjithsej 60 studentë, nga 10 studentë në programet: Vendburimet e Lëndëve të Para Minerare, Hidrologji dhe Gjeologji Inxhinierike, Xehetari, Gjeoteknikë, Materiale, Metalurgji.
Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore është planifikuar që të pranohen 180 studentë në nivelin bachelor (Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore - 100 studentë, Teknologji me specializimet: Inxhinier i Kimike; Inxhinieri e Mjedisit - 80 studentë).
Ndërsa në nivelin master në këtë fakultetet do të pranohen 50 studentë (Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore - 30 studentë, Teknologji - Specializimi, Inxhinieri e Mbrojtjes së Mjedisit - 20 studentë).
Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, në nivelin bachelor do të pranohen 420 studentë ( Informatikë Inxhinierike - 160 studentë, Inxhinieri Ekonomike - 160 studentë, Makineri Prodhuese - 100 studentë). Ndërsa në nivelin master do të pranohen 50 studentë (Informatikë Inxhinierike - 30 studentë, Makineri Prodhuese - Profil i i Prerjes - 20 studentë).
Në nivelin bachelor në Fakultetin Jurdik do të pranohen 140 studentë, në Fakultetin Ekonomik 200 studentë (Banka, Financa dhe Kontabilitet 100 studentë, Menaxhment dhe Informatikë 100 studentë), ndërsa në Fakultetin e Edukimit gjithsej do të pranohen 150 studentë (Edukim Fillor 100 studentë, Edukimin Parashkollor 50 studentë). Në këto tri fakultete nuk ka studime në nivelin master.