Në Universitetin e Gjilanit nis vitin akademik 2020/2021
Gjilan, 1 tetor - Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/2021, në një organizim solemn, para studentëve, drejtueseve të Këshillit Drejtues, stafit akademik dhe administrativ ka uruar të gjithë për një fillim të mbarë, duke ju dëshiruar arritjen e sukseseve maksimale.
Ai ka thënë se pas sfidave të procesit të mësimit online që është mbajtur në semestrin veror të vitit akademik 2019/2020 dhe falë kontributit të gjithëve, vit akademik është përmbyllur shumë i suksesshëm.
Rektori Kosumi tha se po e përmend këtë fakt për arsye të forcimit të besimit në mësimin online, duke bërë të ditur kështu se, për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, viti akademik 2020/2021 do të fillojë në formë të kombinuar: në formën virtuale dhe fizike, por në të gjitha rastet duke respektuar masat Anti-Covid 19.
Rektori ndër tjerash ka porositur të gjithë që të punojmë edhe më shumë në mënyrë që të gjitha punët e mira të nisura, të japin rezultate, në mënyrë që universiteti të arrijë synimet që i ka para vetës.
“Me angazhimin e të gjithëve do të kontribuojmë në ruajtjen e shëndetit për familjet tona, studentëve tanë dhe gjithë shoqërisë”, ka thënë mes tjerash Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi.