Në tetor organizohet “Konferenca e dytë për gjeoshkencë” në UMIB
Mitrovicë, 3 shkurt - Pas suksesit që ka arritur vitin e kaluar, konferenca me titull “Roli i gjeoshkencave në zhvillimin e qëndrueshëm”, do të mbahet edhe sivjet, më 8 dhe 9 tetor 2020 në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB).
Për këtë qëllim të hënën është mbajtur edhe takimi i Këshillit Organizativ (KO), ku përveç UMIB-it, bëjnë pjesë edhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.
Në takim ishte i pranishëm edhe rektori i UMIB-it, Alush Musaj si dhe prorektorja, Merita Shala, të cilët shprehën mbështetjen e plotë për Këshillin Organizativ që organizon një ngjarje të tillë me karakter shkencor.
“Konferenca që u mbajt vitin e kaluar pati shënuar një sukses të madh dhe pati zgjuar interesim gjithandej. Duke pasur parasysh këtë sukses, mendojmë se është tepër me rëndësi që kjo të shndërrohet në një aktivitet tradicional në UMIB”, tha rektori Musaj.
Kryesuesi i Këshillit Organizativ, Sabri Avdullahi, e falënderoi rektorin Musaj dhe prorektoren Shala, për mbështetje dhe gjithashtu falënderoi anëtarët e KO për angazhimin e tyre.
Sipas tij, “Konferenca për gjeoshkencë”, po merr përmasa të një ngjarje shkencore të karakterit evropian, që është një gjë e madhe për UMIB-in.
Ndryshe, në “Konferencën për gjeoshkencë”, vitin e kaluar, përveç studiuesve nga universitetet vendore, kanë qenë të pranishëm edhe studiues dhe shkencëtarë nga vende të ndryshme të Evropës, si nga Finlanda, Italia, Polonia, Turqia dhe Sllovenia.
Gjithsej qenë regjistruar 86 pjesëmarrës, ku ishin dorëzuar gjithsej 75 abstrakte, prej të cilave ishin pranuar 52 sosh.