Në shkolla sdo të ketë nepotizëm e politikë
Prishtinë, 14 prill - Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, ka thënë se konkursi i fundit për staf në shkollat e Prishtinës ka qenë shumë transparent dhe është bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative.
Ai ka thënë se punësimet në shkolla janë bërë duke u bazuar në konkurs dhe nuk ka pasur mundësi për nepotizëm apo interferim të politikës. I pari i arsimit në Prishtinë ka thënë se asnjë drejtor shkolle nuk do të largohet nga puna për shkak të flamurit partiak. Sipas tij, nëse dikush largohet kjo do të bëhet për shkak të performancës së dobët dhe rezultateve jo të duhura.
Edhe në fillim kemi thënë se nuk do të ketë as mësimdhënës e as drejtorë partiakë. Gjithçka që vlen tek përzgjedhja ka të bëjë me performancën e tyre për shkak se konsiderojmë se arsimi është një fushë që duhet të departizohet në mënyrë që tu kthehet komunitetit, nxënësve, rezultateve dhe edukimit. Në këtë kuptim ne nuk kemi ndërmarrë asnjë hap euforik për të emëruar apo larguar drejtorë nëpër pozita. Kemi disa raste që duhet të shpallim konkurs ose disa vende që u ka kaluar mandati. Këtë jemi duke e bërë bashkë me ekspertët që të krijojmë procedura transparente konform ligjit. Vetëm atëherë kur ti krijojmë këta mekanizma do të shpallim konkurs, ndërsa drejtorët që kanë mandat i siguroj se askush nuk do të largohet për shkak të flamurit partiak. Por, në qoftë se dikush do të largohet, ai do të largohet për shkak të perfomrancës apo rezultateve jo të duhura. Absolutisht e përjashtoj mundësinë që për motive partiake dikush të largohet nga shkolla, por kjo nuk e përjashton mundësinë e largimit të ndonjë drejtori i cili nuk ka performancë të duhur dhe i cili nuk arrin rezultate të duhura dhe bën shkelje të ligjit, ka thënë Thaçi në një intervistë për Epokën e re.
Ai ka bërë të ditur se nga 1 shtatori komuna e Prishtinës do të fillojë tua japë shujtën nxënësve. Thaçi ka folur edhe për mësimdhënësit që do të mbeten pa normë për shkak të heqjes së klasës së 13. Ai ka treguar se për shkak të kësaj rreth 110 mësimdhënës do të mbeten pa normë.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës ka thënë se, edhe pse kjo është një sfidë shumë e madhe, do të gjenden mundësitë e sistemimit të tyre. Gjithashtu, ai ka folur edhe për Shkollën Model dhe Gjimnazin Matematikor.
Në këtë intervistë ai ka shpalosur planet e DKA-së në Prishtinë për vitin e ardhshëm shkollor. Ndërkohë që, përveç hartimit të një plani për parandalimin e dhunës nëpër shkolla, ai ka thënë se do të përpiqet ti gjejë mundësitë për ndërtimin e çerdheve të reja publike.