Në Ditën e Mësuesit, ministri Bytyqi ndau çmimin “Shaban Jashari”
Prishtinë, 7 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka ndarë sot çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili këtë vit i është ndarë Ilmie Dumanit, mësuese në shkollën “Dardania” në Prishtinë.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ua uroi 7 Marsin – Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve të Republikës së Kosovës. “7 marsi është një datë e rëndësishme e historisë sonë, sepse na e kujton një angazhim të vazhdueshëm të mësimdhënësve nëpër kohë që të rinjtë tanë të edukohen edhe në kohët më të vështira”, tha ai.
Ministri Bytyqi theksoi se kjo festë e rëndësishme, jo rastësisht qëlloi të jetë gjatë ditëve kur shënohet Epopeja e UÇK-së. “Mësimdhënësit, siç ditën në çdo kohë të kontribuojnë për dije, ditën të kontribuojnë edhe për organizimin e luftën çlirimtare dhe për lirinë e vendit tonë. Anadaj, ne duhet t’i kujtojmë gjithmonë këta mësimdhënës, këto data dhe këtë histori”.
Ministri Bytyqi theksoi se duhet të vazhdojmë t’i çmojmë mësimdhënësit tanë, sepse po vazhdojnë që me angazhimin e tyre dhe me dëshirën e madhe për punë t’i edukojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë, t’i përgatitin ata tashmë për një mision të ri, pra për zhvillimin e vendit.
Duke folur për këtë ngjarje, ministri Bytyqi tha se, mësimdhënësit që vërtetë angazhohen më shumë, duhet të vlerësohen dhe të dallohen nga të tjerët. “Në kohën moderne, dallimi i mësimdhënësve për angazhimin e tyre, ka vlerë. Pra, ky duhet të jetë një standard i ri”.
Çmimi “Shaban Jashari” ndahet për çdo vit për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira.
Ndërsa, sot, janë ndarë mirënjohje edhe për nga një mësues të dalluar nga secila komunë.