Në disa komuna sot nuk është zhvilluar mësim për shkak të kushteve atmosferike
Prishtinë, 6 shkurt - Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka mbledhur informatat nga komunat e Kosovës, pas motit të lig që ka shkaktuar dëme në disa komuna dhe si rezultat, komunat kanë vendosur që të mos zhvillohet procesi mësimor për ditën e sotme, 6 shkurt 2020.
Sipas informatave nga terreni, në shkollat e Istogut, Klinës, Kamenicës dhe Dragashit, gjatë ditës së sotme nuk po zhvillohet mësimi.
Në Prishtinë punojnë të gjitha shkollat, përveç shkollave ,,Mitrush Kuteli’’ dhe ,,Tefik Çanga’’. Në Lipjan nuk punohet sot vetëm në shkollat ,,Ibrahim Krasniqi”– Smallushë dhe ,,Rexhep Aklapi” – Akllap, ndërsa në Mitrovicë nuk punohet në katër shkolla. Në Shtime (Pjetërshticë), shkolla ,,Idriz Ajeti” punon me orar të shkurtuar, sikur edhe në Ferizaj ku shkollat po punojnë me vështirësi dhe disa prej tyre me orar të shkurtuar.
Po ashtu, në Prizren, mësimi po zhvillohet me vështirësi në zonat e thella malore, si Nëpërgosht, Manastericë dhe Llukficë. Ndërsa, në Pejë janë pesë shkolla ku nuk po zhvillohet mësimi.
Në Komunën e Vitisë mësimi nuk ka filluar në ndërrimin e parë në shkollat ''Mirali Sejdiu'' në Gërmovë dhe ''Hysen Tërpeza'' në Tërpezë, për shkak të ndërprerjes së rrymës, por pritet të mbahet mësimi në ndërrimin e dytë.
Të gjitha shkollat, të cilat e kanë ndërprerë mësimin për shkak të kushteve atmosferike, do t’i zëvendësojnë orët e humbura. MASHTI do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje situatën e krijuar si rezultat i motit të lig dhe do të jetë në mbështetje të komunave për të krijuar kushte për normalizimin e procesit mësimor aty ku ka vështirësi.