Ndërtohet shkolla pa projekt adekuat të ndërtimit
Prishtinë, 28 dhjetor - Komuna e Malishevës vitin e kaluar kishte iniciuar procedurat e prokurimit për ndërtimin e një shkolle në fshatin Llazicë pa pasur një projekt të veçantë të ndërtimit.
Për ndërtimin e shkollës "Gjergj Kastrioti" në Llazicë komuna ka përdorur projektin e një shkolle ekzistuese pa bërë fare adaptimin e atij projekti. Në dosjen e tenderit për ndërtimin e shkollës në Llazicë, Preportr ka gjetur se i gjithë projekti është i njëjtë me projektin e shkollës fillore "Salih Bytyçi" në Shkozë.
Preportr ka shqyrtuar kontratën për ndërtimin e shkollës "Gjergj Kastrioti" e nënshkruar më 05.07.2017 nga Komuna e Malishevës me operatorët ekonomik N.N "Themeli" dhe "Electra" SH.P.K. Kontrata ka vlerën prej 427,745 euro. Ekipi i Preportr gjithashtu ka vizituar dy shkollat e komunës së Malishevës të cilat edhe ne dukje vërehen për nga ngjashmëritë.
Si pasojë e mos planifikimit të mirë të projektit, komuna e Malishevës një muaj më vonë kishte nënshkruar një aneks kontratë në mënyrë që të përfundojnë punimet. Çmimi i aneks kontratës kap vlerën prej 41, 964.95 euro.
Këtë problem në procedurë të prokurimit e ka konstatuar edhe raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit në vitin 2017. Sipas auditorit si pasojë e mungesës së një projekti adekuat për ndërtimin e këtij objekti, komuna është detyruar të bëj aneks-kontratë për realizimin e punëve.
"Nënshkrimi i kontratave në mungesë të projektit ekzekutiv rritë rrezikun e pranimit dhe menaxhimit jo adekuat të punimeve. Gjithashtu parregullsitë e identifikuara mund të reflektojnë edhe me punë shtesë dhe pagesa të parregullta apo vlerë të dobët për para", thuhet në raport.
Preportr ka kërkuar nga komuna e Malishevës arsyetimet se pse ka filluar procedura për tenderim pa pasur projektin adekuat por ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndërtimi pa plan ekzekutiv të ndërtimit vlerësohet si keqmenaxhim
Inicimi i procedurave të prokurimit pa plan ekzekutiv të ndërtimit siç kërkohet me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik, është një e metë e disa autoriteteve kontraktuese në Kosovë. Përveç shkollës në Llazicë, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur edhe disa raste të njëjta në Komunën e Malishevës.
Sipas njohësve së prokurimit publik në Kosovë, kjo tregon për planifikim të dobët në procedurave të prokurimit publik.
Isuf Zejna nga Demokracia Plus, thotë se raste të ngjashme ku komunat përdorin plane të një institucioni tjetër, ministrie apo komune, janë tejet të shpeshta edhe kjo sipas tij është si pasojë e një mosgatishmërie që të shpenzojmë më shumë para në planifikimin e investimeve.
"Në përgjithësi vërehet nga të gjitha ato autoritete kontraktuese që kemi monitoruar se planifikimi është njëra prej pikave më të dobëta në prokurim, që na sjellë pastaj në situata ku ose na dështojnë investimet kapitale ose duhet të nënshkruhet edhe një kontratë tjetër me për të sanuar problemet të cilat janë identifikuar si pasojë e planifikimit jo të duhur", thotë ai.
Sipas tij "fakti që në rastin e komunës se Malishevës kemi pasur një aneks kontratë, e cila është dashur t'i mbuloj shpenzimet të cilat kanë qenë të pa planifikuara, tregon që projekti nuk ka qenë i menduar mirë".
Në anën tjetër përdorimi i një projekti pa e adaptuar atë me lokacionin ku planifikohet të ndërtohet, konsiderohet si problem i madh.
Zejna thotë se nëse një shkollë është planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, duhet të kemi një plan se sa klasa na duhen si dhe në çfarë terreni do të ndërtohet sepse sipas tij të gjitha këto kanë ndikimin në realizimin e projektit.
Arkitekti Ilir Gjinolli vlerëson se gjithmonë kur vendoset të përdoret projekti i një ndërtese tjetër ai paraprakisht duhet të adaptohet në mënyrë që të përshtatet me lokacionin.
"Nuk është rasti i vetëm, ka shumë projekte tipike që replikohen në vende të ndryshme. Ndërtimi i projektit në një vend tjetër është gjithmonë i lidhur me kohën e shkurtër për përgatitje për projektim, kështuqë procesi i prokurimit bëhet me projektin ekzistues në një lokacion tjetër dhe si pasojë specifikacionet nuk përputhen as sa i përket materialeve as sa i përket sasive të tyre", thotë Gjinolli.
Sipas tij projekti i ndërtimit për një lokacion punohet në bazë të aftësisë mbajtëse të tokës, orientimit,apo eventualisht të prezencës së ndonjë vije të ujit etj.
"Këtë rast mundemi me e diskutu në dy aspekte, në lidhje me prokurimin si proces ku harxhohet një shumë e mjeteve dhe në situata të tilla duhet me bo punë shtesë për shkak se mundet me qenë terreni më i pjerrët apo me kërku themele më të larta, dhe në anën tjetër problemet munden me qenë teknike dhe të sigurisë", thotë Gjinolli.