Ndërpritet procesi edukativo-arsimor i kadetëve të Policisë së Kosovës
Vushtrri, 12 mars - Për shkak të marrjes së masave parandaluese për tu mbrojtur nga Koronavirusi sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ndërpritet procesi edukativo-arsimor i kadetëve të Policisë së Kosovës dhe studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike.
Kjo masë u morë në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës pikës 1.1 të këtij vendimi ku nder të tjera thuhet “Ndërprerja e procesit edukativo-arsimor të institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020”.
Bazuar në këtë vendim nga sot u ndërpre procesi mësimor i kadetëve, studentëve, po ashtu pezullohen të gjitha aktivitetet të cilat janë në fushë veprimtarinë e Akademisë.
Kadetët e Policisë së Kosovës, sot në paradën e mëngjesit u njoftuan nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi për ndërprerjen e trajnimit të Programit Profesional si dhe u kërkua nga ta që të respektojnë udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me masat preventive kundër Koronavirusit COVID-19.