Nderohet miku i Kosovës David Gotaas
Prishtinë, 12 qershor - Mbrëmë në lokalet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë u mbajt një ceremoni përkujtimore për ndërmarrësin amerikan, David Gotaas, i cili vdiq papritmas më 23 maj në Illinois, ShBA, në moshën 64 vjeçare.
Z. Gotaas shquhej për bujarinë e tij. Ai ka qenë kontribuesi më i madh individual për Fondin Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF) dhe njëkohësisht anëtar i Bordit të tij. KAEF është themeluar nga USAID dhe deri tash u ka mundësuar dhjetra të rinjve kosovarë të kryejnë studime post-diplomike në institucione të shquara në ShBA.
Kontributi i tij ishte qenësor edhe në pranimin e Kosovës në Rotary International, që ishte njohje ndërkombëtare e Kosovës.
Në ceremoninë e djeshme z. Gotaas dhe kontributi i tij u nderuan nga përfaqësues të KAEF-it, të Rotarianëve dhe familjarë e miq të tij të shumtë.