Nderohet jeta dhe vepra e profesorit Mujë Shala
Prishtinë, 14 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mbajti fjalë rasti në mbledhjen komemorative të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”- Fakulteti i Mjekësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës pas ndarjes nga jeta të profesorit Mujë Shala.
Ministri Bytyqi me këtë rast ka folur për jetën dhe veprën e profesor Shalës, i cili përveç intelektual i shquar, gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte angazhuar në radhët e UÇK-së, në Spitalin Ushtarak në Zonën Operative të Drenicës, ku edhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mjekimin e ushtarëve të UÇK-së dhe popullatës civile të asaj zone.
Duke folur për veprimtarinë e profesor Shalës, ministri Bytyqi tha se urtësia, ndershmëria, profesionalizimi, puna dhe kontributi i tij ka mbjellë paharrueshmërinë e tij tek familja, tek ne e për shumë breza të ardhshëm.
“Të gjithë ne që kemi pasur fatin e mirë të njohim profesor Mujën jemi të bekuar dhe ndihemi krenarë që kemi njohur një njeri të mirë, profesionist të shkëlqyer, doktor të shquar, të specializuar në Universitetin e Zagrebit, në një kohë të zymtë për vendin tonë. Profesor Muja tregoi lartësinë e tij intelektuale në përmasa ndërkombëtare. Kontributi shkencor i profesor Mujës në fushën e mjekësisë dhe të pediatrisë në veçanti, kontributi i tij në përgatitjen dhe shkollimin e brezave të rinjë, të specialistëve dhe studentëve të kësaj fushe ka vlera të veçanta për vendin tonë”, është shprehur ministri Bytyqi.
Ministri Bytyqi vlerësoi se, profesor Shala është shembull i mirë i një mjeku të përkushtuar, i cili gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka punuar për mjekësi më të fortë të vendit tonë, ndërkaq shtoi se emri i tij nuk do të shuhet asnjëherë sepse gjeneratat e ardhshme do të ndjekin hapat që ka hedhur gjatë kontributit të tij me dekada në lëmin e mjekësisë.
Në mbledhje komemorative të mbajtur sot në nderim të jetës dhe veprës së profesor Shalës të pranishëm ishin personalitete politike në Kosovë, kolegë, bashkëpunëtorë, studentë dhe familjarë të tij.
Profesor doktor Mujë Shala ka qenë ligjërues i rregullt i Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë në Katedrën e Pediatrisë. Profesor Shala ka botuar mbi 10 libra profesionalë dhe universitarë dhe mbi 100 punime shkencore në revista të ndryshme ndërkombëtare.