Ndarja e Nobelit për Peter Handke-n, sot protestohet në Prishtinë
Ndarja e Nobelit për Handke u konsiderua vendim skandaloz nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës si dhe shqetësues nga njohës të letërsisë botërore.
Madje, sot në Prishtinë prej orës 11:00 pritet të mbahet protestë para Ambasadës së Suedisë, duke kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.
Anulimin e vendimit të Akademisë Suedeze e ka kërkuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si “akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.
AShAK është shprehur e zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke.
Për ndarjen e Nobelit ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit, vendimi i Nobel ka sjellë dhimbje të pamasë te viktimat e panumërta.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se Komiteti i Nobel-it i ka dhënë çmimin, njeriut të gabuar.
Pas shumë reagimeve që erdhën, foli dhe Akademia Suedeze. Sekretari i përhershëm i saj, Mats Malm, tha për New York Times se komiteti i bën përzgjedhjet mbi baza letrare dhe estetike dhe se “nuk është mandati i akademisë të balancojë cilësinë letrare kundrejt konsideratave politike”.