Ndahet çmimi Shkencëtar i Vitit dhe Shkencëtar i Ri i Vitit
Prishtinë, 29 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në një ceremoni solemne ndau çmimin vjetor Shkencëtar i vitit dhe Shkencëtar i Ri i Vitit për vitin 2015.
Këtë çmim, tashmë tradicional, MAShT ua ndanë shkencëtarëve, të cilët gjatë periudhës njëvjeçare, me punën e tyre kërkimore-shkencore kanë arritur rezultate të larta.
Para se të ndajë çmimet, ministri Bajrami ndër tjera tha se, kjo është një ngjarje e veçantë për Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit.
Kjo ceremoni gjithmonë na bën të ndjehemi krenar, sepse në Kosovë kemi shkencëtarë që shënojnë rezultate të mira në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe që janë shpresa e këtij vendi, sepse një shtet matet edhe me atë se sa ka rezultate shkencore.
Ministri Bajrami theksoi se rezultatet e shkencëtarëve tregojnë se është e mundur që në Kosovë të reformojmë sistemin e arsimit të lartë dhe brenda këtij sistemi të vendosim komponentën e hulumtimit shkencor, ashtu siç edhe është vendosur me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë dhe me një varg dokumentesh tjera.
Ne si një shtet i ri, që kemi një popullsi të re, kemi për detyrë që investimet në shkencë ti rrisim dhe këta shkencëtarë gjithmonë ti mbështesim, tha ministri Bajrami dhe u shpreh i sigurtë se nga viti i ardhshëm do të rriten fondet për shkencë në mënyrë që të stimulohen shkenctarët e rinj në punën e tyre kërkimore.
Këtë vit çmimin Shkencëtar i Vitit e ndanë: Prof. Asoc. Dr Avdulla Alija - Departamenti i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore (FShMN) të Universitetit të Prishtinës (UP), Prof . Ass. Dr. Avni Berisha - Departamenti i Kimisë - FShMN i UP-së dhe Prof .Ass. Dr. Halil Ibrahimi - Departamenti i Biologjisë i FShMN të UP-së.
Ndërsa, çmimi Shkencëtar i Ri i Vitit , iu nda: Armond Dacit (doktorant), bashkëpunëtor shkencor në Fakultetin e Mjekësisë në UP, Pranvera Ibrahimit - (doktorante), bashkëpunëtore shkencore në Departamentin e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Klinike në Universiteti UMEA dhe Valmir Krasniqit - (bashkëpunëtor shkencor), Departamenti i Matematikës i FShMN të UP-së.