Ndahen licencat për mësuesit e Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës
Prishtinë, 11 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorët e tij, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ndarjes së licencave për më shumë se 2600 mësimdhënësit e Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës.
Ministri Buja, uroi mësimdhënësit për këtë ngjarje të rëndësishme për punën e tyre. Kjo licencë thotë shumë për ju dhe për ne. Angazhimi i MAShT ka qenë maksimal në vazhdimësi dhe do të vazhdojë të jetë, sepse deri më sot kemi shpërndarë rreth 13 mijë licenca, gjë për të cilën jemi shumë të kënaqur, e janë proces edhe 6 mijë të tjera dhe besoj se këtë do ta realizojmë me shumë përgjegjësi, tha ai.
Ministri Buja përmendi fillimin e këtij procesi në vitin 2004 me Udhëzimin Administrativ (UA) të këtij viti, pastaj edhe një UA në vitin 2010.
Sivjet kemi bërë tre UA për të sqaruar tërësisht tërë veprimin e domosdoshëm për të ardhur deri te kjo ditë e shënuar. Kemi bërë UA për performancën e mësimdhënësve, kemi bërë UA tjetër që flet për financimin e aftësimit profesional dhe UA që është për zbatimin e këtij aftësimi solid profesional, tha ministri Buja dhe theksoi se tashmë është përmbyllur tërë korniza ligjore për këtë proces.
Kështu që, unë sot jam shumë i gëzuar që jam para jush dhe me ju për tju uruar nga zemra këtë arritje tuajën. Dhe, dua të jap një lajm sot: më 1 tetor të vitit 2013 do të fillojë nga puna Universiteti i Gjakovës, që do tju gëzojë juve dhe neve. Gjakova do të jetë qytet universitar, tha ministri Buja.
Tashmë licencat për mësimdhënës janë ndarë në katër rajone të Kosovës (Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjakovë), ndërsa gjatë ditëve të ardhshme do të ndahen licencat edhe për rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit.