Ndahen licencat për 4300 mësimdhënës të rajonit të Prishtinës
Prishtinë, 21 qershor - Zëvendësministri i Arsimit, njëherit edhe kryetar i Këshillit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, Nehat Mustafa, ka ndarë simbolikisht licencat për 4300 mësimdhënës të rajonit të Prishtinës, respektivisht komunave: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Podujevë dhe Drenas.
Zv/ministri Mustafa, me këtë rast tha se po e përmbyllim fazën e parë të procesit të licencimit të mësimdhënsve, i cili është ideuar në këtë formë në vitin 2008. Si proces filloi të formësohet në vitin 2009 dhe gjatë kësaj kohe, neve na është dashur shumë punë që të nxjerrim dokumente duke u konsultuar edhe me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtar, tha ai.
Ne, tha zv/ministri i Arsimit, e kemi ditur se është një proces jo i lehtë dhe shumë kompleks, për arsye se po realizohet për herë të parë në Republikën e Kosovës.
Zv/ministri Mustafa gjatë kësaj ceremonie, ka folur edhe për për katër komponentat e licencimit të mësimdhënësve: zhvillimi profesional i mësimdhënësve, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, licencimi si proces, që do të thotë vet ndarja e licencës si dhe avancimi në kualifikimin e mësimdhënësve.
Pasi që theksoi besimin e tij se prej shtatorit do të fillojë vlerësimi i persformancës së mësimdhënësve në nivel vendi, zv/ministri Mustafa, u ndal të komponenta e tretë nënkupton pajisjen e çdo mësimdhënësi me licencë.
Por këtë licencë mos e shikoni si leje të thjeshtë punë, sepse nuk është e tillë, por më shumë shikone si mundësi për përparim në karrierë. E kemi ndërtuar procesin e licencimit në atë formë që çdo mësimdhënësi do ti jepet mundësia që të përparojë në karrierë, sepse ne kemi paraparë katër nivele të licencave, prej mësimdhënës karriere, mësimdhënës i avancuar, mësimdhënës mentor dhe mësimdhënës i merituar. Çdo kalim i një faze të licencës në fazën tjetër, do të shoqërohet edhe me një rritje page prej 10 përqind. Pra, është interesi i shumëanshëm i një mësimdhënësi që të përparojë në karrierë, tha ai.
Zv/ministri Mustafa theksoi se Ministria e Arsimit po synon vazhdimisht ngritjen e cilësisë në arsim. MAShT konsideron se ka ngritje të vazhdueshme të cilësisë në arsim, por ka vend gjithmonë edhe për ngritje të mëtejshme, theksoi ai dhe falenderoi edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, të cilat kanë dhënë kontribut të madh në procesin e licëncimit të mësimdhënësve.