25 Dhjetor 2024

Ndahen çmimet “Shkencëtar i vitit” dhe “Shkencëtar i ri i vitit”

Prishtinë, 31 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka ndarë sot çmimin “Shkencëtar i vitit” dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për vitin 2014.

Në bazë të raportit të Komisionit ad-hoc, çmimi “Shkencëtar i vitit” i është ndarë Gani Bajraktarit, profesor i Mjekësisë Interne në Fakultetin e Mjekësisë dhe drejtor i Klinikës së Kardiologjisë në QKU, si dhe Avni Hajdarit, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore – dega e Biologjisë. Ndërsa, çmimi “Shkencëtar i ri i vitit” i është ndarë Adem Behës, asistent në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri Bajrami u shpreh i kënaqur që, në ditët e para të mandatit të tij të ndajë këtë çmim i cili, siç u shpreh ministri, e bën krenar  sektorin e arsimit, në mënyrë të veçantë shkencën, duke pasur parsysh se në Kosovë ka shumë punonjës të vyeshëm shkencor, të cilët kanë arritur rezultate shkencore jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

“Kosova posedon resurse të mjaftueshme humane për punë shkencore dhe MAShT me këtë çmim që tani po bëhet tradicional, po tregon gatishmëri për të mbështetur punën shkencore dhe hulumtuese, shkenctarët e rinj, për të inkurajuar ata që krahas angazhimit akademik të përkushtohen edhe në fushën e kërkimeve shkencore, në mënyrë që shkenca e Kosovës të jetë në funksion të shtetit të Kosovës, zhvillimit tonë ekonomik dhe teknologjik”, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami theksoi se në kuadër të reformave që do të bëj si ministër, do të instalojë edhe shumë çmime tjera vjetore për të masovizuar kujdesin që ka shteti dhe Qeveria e Kosovës ndaj njerëzve të fushës së arsimit si: çmimin për mësuesin më të mirë, për studentin më të mirë, për nxënësin më të mirë, shkollën më të mirë, etj.

“Kështu, së bashku do të tregojmë përkushtim ndaj rritjes së cilësisë dhe kualitetit, sepse siç e dini, një nga objektivat kryesore të mijat si ministër është cilësia”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se vetëm në këtë mënyrë do të bëhemi të krahasueshëm dhe konkurrent me hapësirën evropiane të arsimit.

Ministri Bajrami iu uroi tre fituesve shëndet dhe uroi që kjo mirënjohje të jetë një përkushtim për ta, për të dhënë edhe rezultate të reja që do të ndihmojnë zhvillimin e shkencës në përgjithësi. Gjithashtu, ministri iu bëri thirrje shkencëtarëve dhe hulumtuesve që të përkushtohen në zhvillimin e shkencës.

“Një vend i zhvilluar krijon hapësirë për zhvillimin e shkencës dhe definitivisht zhvillimi i arsimit dhe shkencës është parakusht për zhvillimin ekonomik”, theksoi ministri Bajrami.

Fituesit e çmimeve theksuan se ky çmim që iu është ndarë sot është tepër i rëndësishëm për ta, sepse është një stimulim për punën e tyre shkencore, por edhe për faktin se ndahet nga shteti i tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)