Ndahen bursat e doktoratës dhe post-doktoratës Higher Kos
Prishtinë, 13 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe përfaqësuesi i Agjencionit Austriak për Zhvillim, Christian Geosits, kanë ndarë bursat për kandidatët e përzgjedhur për studimet e doktoratës dhe post-doktoratës nga projekti Higher Kos, (Promovimi i Zhvillimit Institucional në Arsimin e Lartë dhe në Shkencë në Kosovë).
Në një ceremoni solemne, të organizuar për ndarjen e bursave për kandidatët që do të vazhdojnë studimet e tyre në shtetin austriak dhe vende tjera të rajonit, ministri Buja tha se kjo është një mundësi e madhe për ata që duan të studiojnë dhe hulumtojnë.
Nga të gjithë aplikuesit, 12 prej tyre u është dhënë mundësia për përkrahje financiare për studime të doktoratës në Austri por edhe në vendet tjera në rajon. Është një bursë shumë solide, një mundësi shumë e madhe për rata që kanë pretendimin për të studiuar dhe për të hulumtuar në fushën e tyre të caktuar, ka thënë Buja.
Ai theksoi se realizimi i këtij projekti në bashkëpunim me Qeverinë Austriake është shumë i rëndësishëm për arsimin e lartë dhe për shkencën në Kosovë.
Ministri Buja foli edhe për projektin Higher Kos që bashkëfinancohet nga agjencioni Austriak për Zhvillim dhe MAShT-i, ndërsa implementohet nga një konzorcium austriak me shumë përvojë, i përbërë nga WUS-Austria (partner udhëheqës), Qendra për Inovacion shoqëror dhe Agjencioni austriak për gatishmëri ndërkombëtare dhe bashkëpunim në edukim, shkencë dhe hulumtim OeAD.
Ministri Buja theksoi se projekti në fjalë kontribuon në funksionimin sa më të mirë të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë, por edhe atij shkencor, në përputhje me vlerat, praktikat dhe standardet evropiane.
Ai tha se intervenimi është i koncentruar në tri fusha tematike, të cilat qojnë te tri rezultate të pritura, ku secila kontribuon në objektivin kryesor të projektit: cilësia në edukim, promovimi i hulumtimeve shkencore dhe menaxhimi i cilësisë.
Ministri Buja po ashtu theksoi se tri fushat tematike janë të ndara në dhjetë komponente dhe në shumë aktivitete, duke mundësuar kështu arritjen e rezultateve të pritura, të orientuara në mënyrë specifike kah përfituesit direkt.
Ndërsa, ministri përmendi faktin se në mesin e këtyre aktiviteteve janë planifikuar edhe partneritete programore midis universiteteve të Kosovës dhe të Austrisë, bursa për doktoraturë dhe post-doktoraturë, projekte të përbashkëta shkencore-kërkimore si dhe shumë veprimtari të tjera që do të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve.
Ndërsa, Christian Geostis, përfaqësues i Agjencionit Austriak për Zhvillim në Kosovë ka thënë se qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë ngritja e kapaciteteve të Universiteteve Publike.
Ai foli edhe për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve që kanë fituar grantet për bursë dhe tha se kjo ka qenë një ndër përvojat më të mira, ndërsa uroi që në takimet e ardhshme të flitet për sukseset e këtyre kandidatëve.
Përfituesit e bursave nga projekti Higher Kos vijnë nga fusha të ndryshme si: arkitekturë, bujqësi, shkenca kompjuterike, mjekësi, filologji, histori etj.