Ndahen 160 bursa për studentët e dalluar të universiteteve publike
Prishtinë, 8 nëntor - Në një ceremoni solemne, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka ndarë sot bursat shtetërore për 160 studentë të dalluar të fushave të ndryshme studimore.
Ministri Bajrami, me këtë rast, ka uruar të gjithë studentët përfitues të bursave duke iu dëshiruar atyre suksese edhe në studimet e mëtejshme dhe në rrugën e karrierës së tyre akademike.
Nuk ka politikë më të mirë shtetërore se sa të investosh në studentë, tha ministri Bajrami duke arsyetuar kështu idenë e tij për skemën shtetërore të bursave nga niveli i shkollës së mesme deri të niveli universitar.
Ne dëshirojmë që përmes këtij investimi të bëjmë sado pak një ndihmesë, të ju qëndrojmë afër për tju mbështetur, sdimos juve që studioni në në drejtimet deficitare për të cilat ka nevojë vendi, të cilat edhe ne i kemi përcaktuar si prioritete, tha ministri Bajrami.
Ministri Bajrami theksoi se duhet të krijohen politika të fuqishme shtetërore, në mënyrë që studentët të krijojnë një logjikë të re, e që është logjika e ndërmarrësisë, e zhvillimit të biznesit, e një konkurrence ku të rinjtë janë një forcë motorike për demokratizimin e shoqërisë.
Kjo sallë është e mbushur sot me liderë të këtij vendi dhe unë jam i lumtur që si ministër kam mundur të bëj sado pak, duke akorduar një bursë shtetërore, tha ministri, ndërsa i siguroi studentët se kjo praktië do të vazhdojë dhe fondet për këtë mbështetje do të shkojnë duke u rritur.
Kryetari i Unionit të Studentëve të Kosovës, Arben Mehmeti theksoi se kjo bursë është një mundësi e mirë dhe një stimulim për studentët, të cilët kanë bërë një punë të madhe gjatë studimeve të tyre.
Në emër të studentëve përfitues të bursës shtetërore, studentja Vezire Krasniqi nga Universiteti i Prizrenit, falënderoi të gjithë prindërit, mësimdhënësit dhe MAShT-in për përkrahjen e vazhdueshme, gjë e cila ka bërë që këta studentë të jenë studentë të ekselencës.
Skema e bursave shtetërore ka filluar të implementohet vitin e kaluar, ndërsa këtë vit përfitues të bursës kanë qenë 160 studentë të universiteteve publike, të cilët ndër të tjera kanë pasur notën mesatare 9.5 gjatë studimeve.