Mustafa priti në takim përfaqësues nga Këshilli i Evropës
Prishtinë, 3 prill - Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa ka pritur sot në takim Sjur Bergan, përfaqësues i Këshillit të Evropës, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen në arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, si dhe të drejtat dhe arsimimin e komuniteteve.
Zëvendësministri Mustafa, ka shprehur vullnetin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit me Këshillin e Evropës, sa i përket këmbimit të përvojave në arsim me shtetet më të zhvilluara, projekteve për trajnim të mësimdhënësve, si dhe përfshirjen e Kosovës në të gjitha aktivitete zhvillimore që kanë të bëjnë me sektorin e arsimit.
Zv/ministri Mustafa foli edhe për përfshirjen e madhe të fëmijëve në arsimin parauniversitar, licencimin e mësimdhënësve, përmirësimin e infrastrukturës, rishikimin e ligjeve dhe arsimin e lartë, ndërkaq ka shprehur gatishmërinë që MAShT të jetë nikoqire e cilit do prej aktiviteteve që organizon Këshilli i Evropës.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Këshillit të Evropës, Sjur Bergan ka thënë se, brenda periudhës pesë vjeçare sa ai nuk ka qenë në Kosovë, gjërat në fushën e arsimit kanë lëvizur pozitivisht.
Bergan tha se, të gjitha veprimet që cilat i ka ndërmarrë Ministria e Arsimit brenda kësaj periudhe janë në funksion të ngritjes së cilësisë.
Zv/ministri për komunitete, Usmen Baldzi, nga ana e tij theksoi se, është i kënaqur me gjendjen e të drejtave të komuniteteve në arsim dhe se në Kosovë nuk ka shkolla të ndara në pikëpamje nacionale.