Mustafa priti në takim një delegacion të OSBE-së
Prishtinë, 6 nëntor - Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa ka pritur sot në takim një delegacion të OSBE-së, të kryesuar nga Shefi i Sektorit për Zhvillim të Sigurisë në Bashkësi, Dmitrii Pankratov dhe drejtori i Departamentit të Operativës në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj.
Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i një pilot projekti, i cili parasheh ngritjen e sigurisë së nxënësve në shkolla, përmes angazhimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e parandalimit të dukurive negative.
Zëvendësministri Mustafa, bëri të ditur se Ministria e Arsimit në vazhdimësi ka zhvilluar aktivitete të kësaj natyre, falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm që ka pasur me Policinë e Kosovës.
Zv. ministri Mustafa, po ashtu vlerësoi se MASHT-i i ka përmbushur të gjitha obligimet e saj edhe në projektet e më hershme për krijimit të ambienteve të sigurta në shkolla dhe se këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen.
Zv. ministri Mustafa, theksoi se Ministria e Arsimit ka disa prioritete, por ndër më të rëndësishmet janë ngritja e cilësisë në arsim dhe siguria në shkolla.
Ndërkaq, Pankratov tha se ideja e këtij projekti është zgjedhja e një Stacioni Regjional të Policisë dhe trajnimi i pjesëtarëve të Policisë për vetëdijësimin e nxënësve rreth dukurive negative siq janë: dhuna në shkolla, dhuna në familje, përdorimi i narkotikëve etj.
Rashit Qalaj, Drejtor i Departamentit të Operativës në Policinë e Kosovës, nga ana e tij theksoi se Policia e Kosovës është e gatshme që të mbështes këtë projekt me të gjitha kapacitet e saj, duke qenë se partneriteti me qytetarë është i domosdoshëm për zgjidhjen e dukurive negative në shoqëri.