Mustafa: Ky Test i Maturës është më i miri i organizuar ndonjëherë
Prishtinë, 28 qershor - Zëvendësministri i Arsimit, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, ka thënë sot se pjesa e dytë e Testit të Maturës Shtetërore, e cila është mbajtur sot, është testi më i mirë i organizuar ndonjëherë.
Pasi që ka përmendur disa parregullsi shumë të vogla (të cilat janë identifikuar), zv/ministri Mustafa tha se informacionet flasin për një proces shumë të mirë, ndërsa tha se gjatë javës së ardhshme do të përpunohen të gjitha raportet që vijnë nga qendrat e testimit.
Zv/ ministri Mustafa përmendi faktin se edhe pjesës së dytë të Testit të Maturës i janë nënshtruar rreth 46 mijë maturantë në 390 qendra të testimit në gjithë Kosovën, të cilat për kryetarë të komisioneve kanë pasur profesorët nga universitetet publike, ndërsa zyrtarët e MAShT kanë qenë ndihmës të tyre.
Raportet fillestare flasin se kemi pasur një vijueshmëri të procesit shumë të mirë në raport me atë që e kemi pasur para dy javësh dhe këtë po e themi duke u nisur edhe nga fakti se në shumicën e shkollave (në mbi 95 përqind të shkollave), raportet flasin që kanë ekzistuar kushtet për mbajtjen e testit të maturës, ka pasur rregull sa i përket disiplinës dhe mbi të gjitha vendimi që kemi marrë për ndryshime në administrim, i ka dhënë rezultatet e veta, sepse kompanitë e sigurimit fizik që kanë qenë të angazhuara në cilësinë e administruesve fizik të testit kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë. Kemi pasur shumë pak tentime të maturantëve për të manipuluar Testin e Maturës, theksoi ai.
Megjithatë, zv/ministri Mustafa theksoi se në një ndërmarrje siq është Testi i Maturës për 46 mijë maturantë, është e natyrshme që mund të paraqiten edhe dobësi, por tha se fatmirësisht këto dobësi janë në një përqindje të vogël dhe nuk e deformojnë procesin.
Zv/ministri Mustafa përmendi disa mangësi të vogla të evidentuara, siq janë: vonesat e vogla në disa qendra të testimit. Ai tha se janë vetëm 8 qendra ku testi ka filluar me vonesë për arsye se kompanitë e sigurimeve i kanë ngatërruar adresat e shkollave dhe nuk kanë arritur me kohë në ato qendra.
Zv/ministri Mustafa falenderoi KALLXO.com, e cila ka monitoruar dhjetëra qendra të testimit dhe si rezultat i raportimeve të tyre, është arritur të evidentohen rastet e keqpërdorimeve, siq është përdorimi i telefonave mobil.
Po ashtu, zv/ministri Mustafa ka falenderuar stafin e universiteve publike, zyrtarët komunalë dhe të MAShT, kompanitë e sigurimit fizik të angazhuara, Policinë e Kosovës si dhe mediat për raportimin e tyre shumë korrekt dhe në funksion të mbarëvajtjes së testit.