24 Dhjetor 2024

Mustafa: I kemi paralajmëruar se s’i njohim

Prishtinë, 6 gusht -  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për mbylljen e disa institucioneve private të arsimit të lartë privat.

Por ky vendim nuk ka qenë i mirë për një pjesë të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë studiuar në këto universitete private të Shqipërisë. Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë për “Epokën e re” se MASHT-i gjithmonë ka pasur dyshime për diplomat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë privat në Shqipëri dhe ka paralajmëruar se nuk do t’i njohë diplomat e këtyre universiteteve.

“MASHT-i asnjëherë nuk e ka nostrifikuar asnjë diplomë të institucioneve të arsimit të lartë privat në Shqipëri nga informacionet që ne kemi pasur për cilësinë e dobët të atyre diplomave. Ne disa herë i kemi njoftuar edhe institucionet e arsimit në Shqipëri, por në të kaluarën nuk është marrë ndonjë masë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se MASHT-i nuk do t’i njohë asnjëherë ato diploma. “Ne nuk do t’i trajtojmë ato diploma për arsye se vetë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë shkuar për të studiuar në institucionet private, sa herë që kanë pyetur në MASHT, ne u kemi thënë se diplomat e tyre nuk nostrifikohen sepse nuk janë të akredituara apo nuk janë pjesë e rrjetit ENKA. Thjesht, ne e kemi ruajtur shtetin tonë nga hyrja e atyre diplomave pa kriter”, është shprehur Mustafa.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, është i shqetësuar se në institucionet shtetërore të Kosovës tashmë punojnë njerëz që kanë mbaruar studimet në këto institucione private.

“Ju e keni parë se në atë listë ka institucione të arsimit të lartë për diplomat e të cilave çdoherë kemi ngritur shqetësimin tonë, siç është rasti me Universitetin ‘Kristal’. Sipas informacioneve tona, në shëndetësinë e Kosovës defilojnë njerëz me diploma që i kanë marrë në këtë universitet.

Diplomat janë të dyshimta sepse janë marrë për një afat shumë të shkurtër. Fatkeqësisht, zyrtarë të shumtë punojnë në institucione shtetërore me ato diploma, edhe pse të panostrifikuara”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se ky vendim i Qeverisë së Shqipërisë është edhe një argument plus se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i kërkojnë diplomat e nostrifikuara, meqë një diplomë e panostrifikuar është jovalide, e falsifikuar.

Zëvendësministri Mustafa ka thënë se edhe Agjencia e Akreditimit të Kosovës duhet të marrë shembull nga ky vendim dhe t’i rishikojë edhe shumë institucione të arsimit të lartë privatë në Kosovë.

“Sidomos ato të cilat kanë me mijëra e mijëra studentë, ndërsa numri i stafit është në disproporcion me numrin e studentëve që ata kanë. Vazhdimisht kemi kërkuar nga AKA-ja t’i forcojë kriteret.

\"Ne e dimë se agjencia operon me numër të vogël të zyrtarëve dhe e ka të pamundur t’i monitorojë të gjitha këto institucione. Kësaj procedure duhet t’i nënshtrohen edhe disa fakultete të universiteteve publike sepse ka dyshime që për disa fakultete mund të ketë anomali të ndryshme për të cilat duhet të merret agjencia”, ka thënë Mustafa.


Ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës të kërkojnë nga të punësuarit që diplomat e marra jashtë Kosovës të nostrifikohen patjetër.

“Ata të cilët i paguajnë zyrtarët, duke u mbështetur në kualifikimin nga diploma të panostrifikuara, bëjnë shkelje ligjore dhe në një moment të caktuar eprorët që i procedojnë pagesat mund të përgjigjen penalisht sepse keqpërdorin paranë publike”, ka theksuar ai.

Mustafa u ka bërë thirrje edhe institucioneve të arsimit privat në Kosovë që të mos punësojnë staf me diploma të panostrifikuara. Ai ka bërë me dije se ka institucione të arsimit privat në Shqipëri në të cilat janë duke doktoruar qindra qytetarë të Kosovës.

“Edhe përkundër paralajmërimeve tona, se ato diploma nuk do të njihen, ata kanë vazhduar t’i ndjekin ligjëratat kokë në vete dhe të paguajnë para të shumta në ato institucione që nuk kanë qenë të akredituara. Ne shumë herët i kemi paralajmëruar. Në të ardhmen, pasi t’i marrin ato diploma, do të kërkojnë të njihen, por meqë ata kanë qenë të vetëdijshëm se ato institucione janë të paakredituara, shteti nuk do të merret me ta”, ka thënë zëvendësministri Mustafa.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)