Murati premton ndihmë për mësimin shqip në diasporë
Në Trevizo, ai pati një takim pune me Këshillin e Arsimtarëve të rajonit të Venetos, ku morën pjesë edhe aktivistë të komunitetit dhe prindër.
Në takim u bisedua për rezultatet, por edhe për sfidat, me të cilat ballafaqohet mësimi shqip në këtë pjesë të Italisë. Ministri Murati i përgëzoi prindërit dhe mësuesit, të cilët në mënyrë vullnetare po e mbajnë gjallë shkollën shqipe.
Ai tregoi për punët që po bën Ministria e Diasporës për ta ndihmuar mësimin shqip në diasporë, si dhe angazhimin për realizimin e marrëveshjes për arsimin shqip në diasporë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Në Trevizo, ministri Murati mori pjesë edhe në një manifestim të organizuar nga shkolla shqipe për nder të përfundimit të vitit shkollor të mësimit të gjuhës shqipe. Në këtë manifestim ishin prezentë edhe përfaqësues të autoriteteve italiane komunale, rajonale dhe kishtare. Në këtë takim, ministri Murati, përveç falënderimit për mësuesit dhe nxënësit për një organizim të mirë të manifestimit, i falënderoi edhe autoritetet italiane për gatishmërinë që kanë për bashkëpunim me komunitetin shqiptar.
Gjatë qëndrimit në Itali, ministri Murati pati një takim edhe me përfaqësuesit e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Itali, me shoqatat dhe mësuesit e rajonit të Lombardisë, me të cilët bisedoi për domosdonë e një bashkëpunimi edhe më të mirë të të gjitha shoqatave në Itali, si dhe nevojën e krijimit të një organizimi të përbashkët të arsimtarëve shqiptarë në nivel të Italisë.