Moti nuk ka qenë i papërshtatshëm për të mos u mbajtur mësimi
Prishtinë, 1 mars - Besim Aliu, parashikues i motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) nuk i ka kontaktuar kur ka vendosur që të marrë vendimin për ndërprerjen e mësimit në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar për të enjten dhe të premten.
Ai më tej ka shtuar se sot nuk ka qenë mot i papërshtatshëm për të mos u mbajtur mësimi.
“MAShT-i nuk na ka kontaktuar kur kanë vendosur që të mos mbahet mësim. Sot gjatë ditës temperaturat kanë qenë deri në -4 gradë celsius e moti nuk ka qenë aspak i papërshtatshëm për mësim. Unë i lëshoj të dhënat nëpër emaile e kush i merr unë nuk e di, por unë nuk mund të them që nesër nuk duhet të mbahet mësimi për shkak të temperaturave”, ka theksuar Besim Aliu.
MAShT fillimisht kishte vendosur që mësimi mos të mbahej ditën e mërkurë.
Ndërsa sot ka vendosur të vazhdojë ndërprerjen e mësimit edhe për dy ditë të tjera, të enjten dhe të premten.
Kjo me arsyetimin se do të mbretërojë mot i ftohtë duke u bazuar në të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
“Ky vendim është marrë pas mbledhjes së raporteve për gjendjen e krijuar nga temperaturat e ftohta nëpër komuna dhe në konsultim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, si dhe duke pasur parasysh të dhënat që dalin nga Instituti Hidro-Meteorologjik i Kosovës”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Arsimit për mosmbajtjen e mësimit për nesër e pasnesër.
Besim Aliu tha për KALLXO.com se temperaturat do të jenë më të ulëta gjatë natës dhe sipas tij më me vend do të ishte po të mos mbahej mësimi nesër (e enjte) sesa që nuk është mbajtur sot (e mërkurë).
“Nxënësit shkojnë gjatë ditës në shkollë e jo gjatë natës kur është edhe moti më i ftohtë. Ndoshta më mirë kishte me qenë mos me mbajtë mësim nesër sesa sot, sepse sot ka qenë moti i përshtatshëm. E premtja e më tutje janë ditë të mira”, ka përfunduar Aliu.
Besim Aliu ka thënë për KALLXO.com se nata e sotme do të jetë më e ftohta e vitit 2018.
“Sonte temperaturat do të lëvizin nga -14 deri -16 gradë celcius, do të jetë nata më e ftohtë e vitit 2018, gjatë ditës së enjte temperaturat do të mbesin në minus, por do të rriten në -5 gradë celsius gjatë ditës kurse nga dita e premte pritet të kemi vlera pozitive të temperaturave”, ka theksuar Aliu.
KALLXO.com ka marrë të dhëna për motin në Kosovë edhe nga faqja e internetit weather.com.
Sipas kësaj faqeje që merret me parashikimin e motit, gjatë natës së sotme në Prishtinë temperaturat do të bien në minus 18.
Të enjten gjatë ditës temperaturat do të sillen ndërmjet minus 2 dhe minus 3, e të premten do të jenë pozitive, nga 1 gradë deri në 4 gradë celsius.
Kurse sipas “BBC weather” në Prishtinë sonte do të mbretërojnë temperatura deri në -16 gradë celsius. Të enjten temperaturat do të ngriten deri në -3 gradë kurse të premten temperaturat do të lëvizin nga 1 deri në 4 gradë celsius.
KALLXO.com