Mitrovicë, procesi mësimor nis pa probleme
Mitrovicë, 3 shtator - Procesi mësimor në shkollat e Komunës së Mitrovicës ka nisur të hënën pa ndonjë problem. Mësimi ka nisur në të gjitha shkollat, përveq në shkollën e mesme të ulët Skënderbeu, për shkak të vazhdimit të rinovimit.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Ali Bejta, tha se përgatitjet për këtë vit shkollor janë bërë me kohë dhe gjithqka ka nisur mbarë.
Një numër i madh shkollash janë rinovuar gjatë pushimeve, përderisa në shkollën e mesme të ulët Skënderbeu në Vaganicë mësimi është shtyer për disa ditë derisa të përfundoj rinovimi në tërësi.
Ai sqaroi se nxënësit e shkollës së mjekësisë Xheladin Deda, këtë vit kanë nisur mësimin në shkollën e mesme teknike Arkitekt Sinani.
Objekti i ri për këtë shkollë është në ndërtim e sipër dhe presim që vitin e ardhshëm ajo të jetë e gatshme për punë.
Për të parë kushtet e punës dhe përgatitjet për këtë vit shkollor, kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri dhe drejtori i Arsimit, Ali Bejta, ka vizituar disa shkolla.
Ai është shprehur i kënaqur në përgjithësi me kushtet e punës nëpër shkolla.
Kryetari Kastrati, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme në këtë drejtim në mënyrë që të krijohen mundësi sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.