Mitrovicë, përmirësohet infrastruktura shkollore
Mitrovicë, 29 shtator - Drejtues të komunës së Mitrovicës dhe USAID-it kanë përuruar të mërkurën aneksin e ri të ndërtuar në shkollën fillore Meto Bajraktari në Mitrovicë. Ata kanë vlerësuar këtë si një projekt të rëndësishëm që do të rris hapësirën shkollore dhe që do të ndikoj edhe në cilësinë e punës edukativo-arsimore.
Drejtori për Arsim, Ali Bejta, tha se pas vetëm disa ditësh nga përurimi i shkollës së re në Suhadoll, tash po përurohet një objekt tjetër në Mitrovicë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Puna për krijimin e kushteve më të mira për punë nëpër shkolla po vazhdon me ritëm të shpejtë. Të gjitha këto do të krijojnë kushte për punë normale, meqë për shkak të rrethanave të pasluftës shkollarët mitrovicas janë përballur me probleme të mëdha për shkak të mungesës së hapësirës.
Ai tha se me investimin e komunës dhe USAID-it përveç këtij aneksi në shkollën fillore Meto Bajraktari janë në përfundim edhe dy projekte të tjera; ai i aneksit në shkollën fillore Skënderbeu si dhe renovimi gjimnazit Frang Bardhi. Drejtori Bejta, sqaroi se shuma e përgjithshme për këto tri projekte kap vlerën prej 517 mijë eurosh, prej të cilave 247 mijë i ka siguruar komuna, ndërsa të tjerat USAID-i.
Duke folur për investimet që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës shkollore, drejtori Bejta, tha se gjatë dy viteve të fundit me ndihmën e MASHT-it janë ndërtuar katër shkolla të reja fillore; në Shipol, Zhabar, Kodër dhe Suhadoll si dhe shkolla e mesme teknike në qytet, mandej pesë anekse shkollore që bashkëfinancohen nga komuna dhe USAID-i, ndërsa në ndërtim është shkolla e mjekësisë që financohet nga MASHT-i.
Në përurimin e aneksit shkollor ishte e pranishme edhe drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Patricia Rader, e cila theksoi se investimi në arsim është investim në të ardhmen. Ajo tha se këto projekte kanë për qëllim të krijojnë kushte që mësimi të mbahet në dy dhe jo në tri ndërrime.