Ministrja Tahiri mori pjesë në Konferencën e Fondacionit Evropian të Edukimit
Shtutgart, 15 mars - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në Konferencën e Fondacionit Evropian të Edukimit në Shtutgart të Gjermanisë, me çrast është bërë anëtarësimi i Kosovës në Programin Trans nacional të Danubit, i cili ka për synim lidhjen e edukimit me punësimin, e njohur gjithashtu si arsimi dual.
Në këtë aktivitet, ministrja Edita Tahiri, ishte së bashku me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.
Në kuadër të takimit të komitetit drejtues, ministrja Tahiri tha se Kosova është e interesuar që të zhvillojë ekonominë dhe të rrisë vendet e punës, prandaj modelet e avancuara të arsimit që lidhin ekonominë, ndërmarrësin dhe partneritetin me sektorin privat përbëjnë një drejtim të rëndësishëm në transformimet e duhura arsimore në epokën e teknologjisë informative dhe digjitalizimit.
Ajo theksoi se vet shkollimi i saj në Universitetin e Harvardit, i ka dhënë mundësi që të njihet me rëndësinë e lidhjes së teorisë me praktikën, gjë e cila bënë që studentët me kohë të formësojnë mendimin e tyre politiko-ekonomik në interesat e vendit dhe shoqërisë së tyre. Në këtë kontekst, ajo theksoi rëndësinë që Kosova të jetë anëtare e Programit Trans nacional të Danubit nën udhëheqjen e Gjermanisë.
Ministrja Tahiri, e falënderoi z. Wolfgang Schuster, kryesues i Fondacionit Evropian të Edukimit për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e programit për zhvillimin e edukimit dual që financohet nga Komisioni Evropian dhe i cili Kosovës i hap mundësi të zhvillimit të arsimit, me theks në lidhjen e arsimit me punësimin. Ministrja Tahiri, e ftoi z. Schuster për vizitë në Kosovë, për mundësitë e thellimit më të madh të bashkëpunimit.
Nënshkrimin e marrëveshjes \"Përkushtimi ynë për zhvillimin e shanseve për të rinjtë\", në emër të Kosovës e bëri ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, bashkë me përfaqësuesit e pesëmbëdhjetë shteteve të tjera evropiane që janë partnerë të këtij projekti.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ministri i Drejtësisë dhe Çështjeve Evropiane të Badenit, z. Guido Wolf, i cili mbajti një fjalim mbi të ardhmen evropiane të vendeve aspirante, me ç rast theksoi se BE duhet të rrisë angazhimet për ti integruar këto vende, ndërsa tha se vet këto shtete duhet të angazhohen në përmbushjen e standardeve për integrim në BE, në mënyrë që të realizohet qëllimi për një familje të madhe evropiane, ku të gjitha vendet janë pjesë e saj.