25 Dhjetor 2024

Ministria të mos i monopolizojë pozitat e drejtorëve të shkollave

Ferizaj, 18 nëntor - Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa ka deklaruar se duke pasur parasysh publicitetin që patën kohët e fundit konkurset për udhëheqës të disa shkollave të Ferizajt, si kryetar i kësaj komune, ka sqaruar publikun se Komuna e Ferizajt është vënë në vështirësi të mëdha sivjet, me rastin e skadimit të mandatit të drejtorëve në disa shkolla, pasi Udhëzimi Administrativ nr. 08/2014 për procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese, përmban edhe kushtin që kandidatët për këto pozita, “të kenë përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim ose menaxhim”.

\"Duke e mbështetur fuqimisht idenë që udhëheqësit e shkollave të jenë sa më të kualifikuar dhe të përgatitur profesionalisht për punën e tyre, konsideroj se ky kusht i vendosur nga Ministria e Arsimit, ka ardhur para kohe dhe, si i tillë, jo vetëm që i ka vënë në pozitë të pabarabartë dhjetëra e dhjetëra kuadro arsimore, që kanë përvojë të gjatë e të suksesshme në udhëheqjen e shkollave, por ka vendosur monopol tek një numër drejtorësh aktualë ferizajas, (afërsisht 25 veta) për të cilët ministria ka organizuar një trajnim, sa për të përmbushur këtë kusht.\"

\"Pa hyrë në trajtimin politik të çështjes, konsideroj se duke mos hapur kurse të tjera (të cilat ministria i konsideron programe të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim ose menaxhim), megjithë kërkesat e Komunës së Ferizajt, ministria e ka sjellë këtë komunë në pozitë që t’ua zgjasë mandatet disa drejtorëve “si të pazëvendësueshëm”\", ka theksuar Svarqa.
 

Ai ka thënë se duke e konsideruar sjelljen e Ministrisë së Arsimit si synim të padrejtë, për t’i ruajtur pozitat e disa drejtorëve, pa udhënë asnjë mundësi edhe të tjerëve që të kualifikohen si 25 drejtorët aktualë, Komuna e Ferizajt ka vendosur që  në disa raste, në përputhje me Ligjin për arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës, të caktojë ushtrues detyre të drejtorit, derisa të krijohen kushtet për një konkurrencë të drejtë e pa diskriminime.

Prandaj, Komuna e Ferizajt i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që sa më shpejt që të jetë e mundur, t’u ofrojë mundësi të interesuarve që të ndjekin atë që ajo e quan “program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim ose menaxhim”, megjithëse, me sa jemi në dijeni, Fakulteti i Edukimit i UP-së e ka programin master për menaxhimin e shkollave, gjë që e bën të panevojshëm programin e lansuar nga MASHT. Ndryshe, gjendja aktuale, bie erë monopolizimi dhe diskriminimi të qëllimshëm, për t’ua ruajtur pozitat e udhëheqësve të shkollave njerëzve të parapëlqyer prej ministrisë ose prej pushtetit të kaluar.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)