15 Nëntor 2024

Ministria e Diasporës do ta ndihmojë shkollën shqipe në Francë

Paris, 3 prill - Ministri i Diasporës, Valon Murati, po qëndron në Francë, në kuadër të vizitës që po u bën bashkatdhetarëve. Vizitës së ministri Murati i parapriu një takim pune në Universitetin e Lionit, të cilin e zhvilloi bashkë me  ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm prorektorja Annei Anne Giroir Fendler, profesori Petru Mironescu dhe përfaqësues të tjerë nga Instituti i Matematikës, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit mes dy universiteteve, veçanërisht për zgjerimin e programit aktual që zhvillohet mes departamenteve të matematikës.

 Ministri Murati u  takua edhe me bashkatdhetarët në Provins, me të cilët bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Ministri Murati u premtoi bashkatdhetarëve se Ministria e Diasporës do t’i ndihmojë me librat që u duhen për shkollën shqipe. Po ashtu, MeD-ja do të ndihmojë edhe rreth zbatimit të planprogramit mësimor për diasporën.

Ai theksoi se, bashkë me Ambasadën e Kosovës në Francë, do t’i shikojnë mundësitë që mësimi shqip të ndihmohet edhe institucionalisht nga shteti francez.

Qëllimi i kësaj vizite ishte rihapja e shkollës shqipe, organizimi i aktiviteteve kulturore, por edhe organizimi i bizneseve shqiptare në Francë.

Gjatë kësaj vizite, ministri Murati takoi edhe Erza Muqollin, një zë që premton një të ardhme të ndritur në muzikë, pjesë e grupit muzikor “Kids United”, i cili, nën patronazhin e UNICEF-it, përmes koncerteve, i  ndihmon fëmijët në nevojë. 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)