Ministria e Arsimit do të sigurojë qasje në arsimin kualitativ
Prishtinë, 9 shtator - Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Anila Statovci-Demaj ka hapur punimet e ditës së dytë të Konferencës me temën Arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë, e cila ka si synim prezantimin e vizionit të Ministrisë së Arsimit dhe rritjen e vetëdijes së gjithë faktorëve relevant, për konceptin dhe filozofinë e arsimit gjithëpërfshirës.
Zëvendësministrja Statovci-Demaj theksoi se, Republika e Kosovës ka bërë tanimë përvojat e veta sa i përket procesit të gjithëpërfshirjes, të cilat edhe janë prezantuar në ditën e parë të kësaj Konference.
Zv/ministrja Statovci-Demaj, tha se qëllimi i Ministrisë së Arsimit është që të sigurojë qasje në arsimin kualitativ dhe kjo qasje të jetë e formësuar për nevojat e ndryshme të nxënësve. Qëllimi ynë është respekti, dinjiteti dhe barazia për të gjithë. Dhe ky është një fundament edhe kushtetues në Republikën e Kosovës, theksoi ajo.
Ndër të tjera, zv/ministrja Statovci-Demaj foli edhe për konkluzionet që pritet të dalin nga kjo konferencë, për të cilat tha se do të jenë shumë me interes për Ministrinë e Arsimit, në rrugën e saj drejt përmirësimit dhe avancimit të cilësisë në arsim.
Ndërsa, ambasadorja e Finlandës në Kosovë, znj. Anne Huhtamaeki tha se arsimi gjithëpërfshirës bazohet në të drejtën e nxënësve për tu përfshirë në arsim cilësor, pavarësisht karaktersitikave të tyre.
Për Finlandën gjithmonë ka qenë tepër e rëndësishme që të ofrojë mundësi të barabarta për arsimim. Arsimi gjithëpërfshirës duhet tiu mundësojë qasje të gjithë nxënësve, duke i bashkuar në një klasë nxënësit e ndryshëm, tha Huhtamaeki.
Në ditën e dytë të Konferencës foli edhe znj. Marja Mateo, eksperte e Projektit të Binjakëzimit, e cila para pjesëmarrësve prezantoi Udhërrëfyesin për Diversitet dhe Gjithëpërfshirje.
Konferenca Arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë ofron mundësi të shkëmbimit të përvojave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit gjithëpërfshirës.