Ministri Rrahmani diskuton me studentët e ISPE për shëndetësin
Prishtinë, 19 maj - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani, mbajti sot një ligjëratë para studentëve të Kolegjit Universitar ISPE, me temën: Shëndetësia në Kosovë-Sfidat dhe Sukseset.
Ministri Rrahmani tha se për herë të parë nga Qeveria e vendit shëndetësia trajtohet si prioritet, duke theksuar se gjatë këtij dyvjeçari është punuar shumë dhe mirë, si në krijimin e legjislacionit që për qëllim ka ndryshimin pozitiv të gjendjes në shëndetësinë kosovare ashtu edhe në zbatimin e objektivave të parapara me Strategjinë Sektoriale shëndetësore.
Ai tha se sistemi i mëhershëm shëndetësor ishte në shpërputhje me nevojat e qytetarëve, ndërkohë që vlerësoi se nga profesionistët shëndetësor është duke u bërë një punë e mirë me qëllim të përmirësimit të gjendjes së përgjithshme në shëndetësinë kosovare.
Jemi në përpjekjeje të vazhdueshme për implementimin e ligjeve të miratuara, me theks të veçantë të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, Ligjit të Odave, Ligjit për Kontrollin e Duhanit..., derisa, shtyllat kryesore të reformës shëndetësore janë: Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Sistemi i Informimit të Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor, tha ministri Rrahmani.
Gjatë elaborimit të temës për sigurimin shëndetësor, ai tha se është me rëndësi të madhe fillimi i implementimit të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësor, sepse përmes tij do të krijohet Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të mundësoj qëndrueshmëri financiare për sistemin dhe do të shërbejë për ngritjen e performancës së profesionistëve dhe të cilësisë së shërbimeve shëndetësore për popullatën.
Ministri Rrahmani, përveç të arriturave, ka folur edhe për sfidat për shëndetësinë deri më tani, ka spikatur financimin shumë të ulët për kokë banori, mungesën e kapaciteteve menaxheriale dhe profesionale në disa sektorë, etj.
Pas ligjëratës, Ministri Rrahmani ka zhvilluar një debat interaktiv me studentët duke u përgjigjur në pyetjet e tyre dhe duke këmbyer ide me ta për çështjet e shëndetësisë në Kosovë.