Ministri Bytyqi shkarkon Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim
Prishtinë, 25 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë - KSHC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie.
Këtë vendim, ministri Bytyqi e ka marrë pas kërkeës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilën Kryeministri ka kërkuar edhe fillimin e menjëhershëm të procedurave për zgjedhjen e Bordit të ri dhe drejtorin e AKA-së.
Kryeministri Haradinaj këtë kërkesë e ka bërë duke e arsyetuar se procesi i akreditimit në arsimin e lartë është përcjellë me parregullsi serioze, ndërsa ka kërkuar nga Ministri që procesi i ri të rezultojë me përzgjedhjen e njerëzve me ekspertizë të duhur në sektorin e arsimit, etike dhe profesionale.