Ministri Buja vuri gurthemelin e Qendrës së Kompetencës në Ferizaj
Prishtinë, 26 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, dhe ministrja për Zhvillim e Luksemburgut, znj.Marie Jose Jachobs, kanë vë sot gurthemelin e Qendrës së Kompetencës në Ferizaj.
Ministri Buja me këtë rast tha se kjo ditë është e veçantë për të gjithë e veçanërisht për nxënësit, sepse po nisim një shkollë të veçantë, e cila do të ketë 8 drejtime të profileve shëndetësore.
Ministri ka falënderuar Qeverinë e Luksemburgut për ndihmën që ka dhënë për ndërtimin e kësaj qendreje, që është investim i përbashkët, ndërkaq ka uruar të gjithë ata nxënës që do të jenë pjesë e kësaj shkolle.
Uroj që të keni suksese në mësimet që do të zhvilloni në këtë shkollë. Ndërsa porosia ime do të ishte që kur të jetë e gatshme dhe kur ju do të filloni të vazhdoni mësimet këtu ta ruani si është më së miri, tha ministri Buja.
Edhe znj.Marie Jose Jachobs gjithashtu ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj ane për shkollën e cila do të ndërtohet .
Ky projekt i përbashkët i Qeverisë së Luksemburgut dhe Qeverisë së Kosovës është më rëndësi për të gjithë ne, konstruktimi i një shkolle gjithnjë është konstruktim i së ardhmes. Nxënësit këtu do të marrin njohuri për të ardhmen e tyre, ndërsa populli i Luksemburgut është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë popullin e Kosovës për të ardhmen, për konstruktimin e ideve dhe shkollimit për të ardhmen, tha znj.Jose Jachobs.
Ndryshe, Qendra e Kompetencës (QK) është dizajnuar në bashkëpunim me komunën e Ferizajt dhe largohet nga dizajni tradicional i shkollës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional me përfshirje inovative të një qendre të vogël të mjekësisë. QK do të pajisjet me premisa të teknologjisë së fundit për gjuhë të huaja si një faktor i rëndësishëm për ti mundësuar të rinjve në Kosovë të arrijnë punësim gjithkund në Evropë.
Në këtë Qendër do të zhvillohen profilet: Asistent i Ortopedisë, asistent i ortoprotetikës, asistent i farmacisë në prodhim, profesionisti shëndetësor në komunitet, teknik i audiologjisë, siguria ushqimore dhe nutricioni, opticient dhe teknik dental.
Sipas dinamikës së punimeve për ndërtim, pritet që shkolla të jetë e gatshme për vititn shkollor 2013-2014.