Ministri Buja vizitoi maturantët gjatë Testit të Maturës
Prishtinë, 9 qershor - Rreth 31 mijë maturantë në gjithë Kosovën, i janë nënshtruar sot pjesës së parë të Provimit të Maturës Shtetërore në mbi 260 qendra të testimit, të cilat po mbikëqyren nga 260 administrues, 900 komisionerë dhe 300 monitorues nga Universiteti i Prishtinës.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, dhe kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQShM), Nehat Mustafa, kanë vizituar sot maturantët, të cilët i janë nënshtruar provimit në qendrën e testimit në gjimnazin Xhevdet Doda.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka theksuar se mbajtja e Testit të Maturës përbën një ngjarje të veçantë dhe me mjaft përgjegjësi për institucionet arsimore.
Ministri Buja tha se ky provim është mjaft me rëndësi, duke pasur parasysh se nga ky vlerësim do të nxirren rezultatet e dijes së nxënësve të arritura gjatë shkollimit të mesëm.
Është një ditë e veçantë, sepse po organizojmë Testin e Maturës dhe besoni që të gjithë ngapak jemi në stres, sepse secili ka një lidhje edhe familjare, por përveç tjerash ne kemi edhe përgjegjësi institucionale dhe profesionale, është shprehur ministri Buja.
Gjithashtu, ministri Buja ka vlerësuar lartë mënyrën e organizimit të testit dhe përpilimin e pyetjeve.
Sivjet testi është më i mirë për shkak se organizohet në dy faza, testi i ditës së parë do të jetë i përgjithshëm, ndërsa ai i ditës së dytë do të jetë profesional që i përshtatet profesioneve të caktuara, ka thënë ministriu Buja.
Në pjesën e parë të provimit, që është mbajtur sot, maturantët kanë pasur mundësi të përgjigjen në 120 pyetje nga lëndët e përgjithshme, ndërsa pjesa e dytë e testit që përmban 80 pyetje nga lëndët e përafërta me drejtimin, do të mbahet më datën 23 qershor.
Publikimi i rezultateve të provimit do të bëhet më 30 qershor. Afati i ankesave të nxënësve do të jetë nga 2-4 korrik, ndërkaq publikimi i rezultateve të ankesave do të bëhet më 5 korrik.
Njësitë akademike të cilat këtë vit do të bëjnë pranimin e studentëve pa provim pranues janë: Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Shkencave Matematiko- Natyrore, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Gjeoshkencës dhe Teknologjisë, si dhe Fakultetet e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Pejë.