Ministri Buja vizitoi Fakultetin e Edukimit
Prishtinë, 15 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja vizitoi Fakultetin e Edukimit dhe me këtë rast zhvilloi një takim me asistentët e rinj të këtij institucioni, të cilët njëherësh janë kandidatë për doktorantë në fusha të ndryshme hulumtuese dhe shkencore.
Ministri Buja inkurajoi asistentët e këtij fakulteti që të vazhdojnë me sukses punën e tyre në këtë fakultet dhe të jenë sa më këmbëngulës në punën e tyre hulumtuese e shkencore, për të dhënë kontributin e çmuar edhe në përgatitjen e kuadrit mësimdhënës në shkollat e Kosovës.
Ne jemi duke e pilotuar Kurrikulën re të Arsimit Parauniversitar në 10 shkolla dhe nga shtatori i këtij viti do të kemi edhe 114 shkolla pilote, prandaj për tu implementuar me sukses kjo kurrikulë e re e bazuar në kompetenca, nevojitet kuadër i mirë profesional, i aftë të ballafaqohet me një qasje të re moderne në rrafshin e mësimdhënies, tha ministri Buja.
Në vazhdim, ministri Buja foli edhe për bashkëpunimin gjithnjë e më të madh në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit, ndërsa theksoi se së shpejti do të kemi edhe kurrikulën e përbashkët Kosovë - Shqipëri.
Ministri Buja foli edhe për angazhimin e MAShT për digjitalizimin e Maturës Shtetërore, por edhe të ditarëve të shkollave , si dhe nevojën e avancimit të procesit të vlerësimit të përformancës së mësimdhënësve, me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë në arsim.
Dekani i këtij fakulteti, z.Ethem Çeku e informoi ministrin Buja për gjendjen në këtë institucion, ndërsa e vlerësoi lartë përkrahjen e vazhdueshme të MAShT në zhvillimet progresive, transformuese dhe ngritjen e kapacitetve profesionale të këtij fakulteti.