Ministri Buja uron mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit
Prishtinë, 6 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me rastin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit uron të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës.
Në urimin e ministrit Buja drejtuar mësimdhënësve thuhet:
Dita e Mësuesit është ndër ditët më të rëndësishme në historinë e arsimit shqip, e cila shënohet me krenari dhe dinjitet nga të gjithë ne. Mësuesit kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve.
Shkolla shqipe dhe mësuesi në Republikën e Kosovës nuk kanë qenë vetëm vatër e dijes, por edhe të nismave dhe lëvizjeve të mëdha historike, duke realizuar edhe krijimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.
Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë mësimdhënësve që kontribuan në ngritjen e sistemit të arsimit dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të angazhohen vazhdimisht për avancimin e pozitës së mësimdhënësve dhe respektimin institucional të tyre.
Urime 7 Marsi Dita e Mësuesit!