Ministri Buja, uron mësimdhënësit e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 6 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me rastin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit uron të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës.
Në urimin e ministrit Buja drejtuar mësimdhënësve thuhet:
7 Marsi Dita e Mësuesit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit shqip, e cila shënohet me krenari dhe dinjitet nga të gjithë ne.
Mësuesit kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve.
Shkolla shqipe në Republikën e Kosovës nuk ka qenë vetëm vatër e dijes, por edhe e nismave dhe lëvizjeve të mëdha historike, duke ndikuar edhe në realizimin dhe krijimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.
Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë mësimdhënësve që kontribuan në ngritjen e sistemit të arsimit dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë.
Qeveria e Kosovës do të angazhohet vazhdimisht në avancimin e pozitës së mësimdhënësve dhe respektimin institucional të tyre, në mënyrë që mësimdhënësi ta zhvillojë me përgjegjësinë më të madhe garën e dijes, garën e vërtetë të zhvillimit të shoqërisë.