Ministri Buja: Universiteti Haxhi Zeka fillon më 3 tetor
Prishtinë, 30 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot qytetin e Gjakovës dhe atë Pejës ku është takuar me udhëheqës të komunave, mësimdhënës e studentë.
Ministri Buja fillimisht është ndalur në qytetin e Gjakovës, ku është takuar me kryetarin e KK të Gjakovës, Pal Lekaj, me të cilin ka biseduar për zhvillimin e proceseve arsimore dhe çështje të tjera me interes për vendin. Ministri Buja dhe kryetari Lekaj u shprehën të gatshëm për angazhime të përbashkëta në funksion të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë në arsim.
Më pas, ministri ka vizituar Shkollën e Mesme Hajdar Dushi të këtij qyteti, ku ka premtuar përshpejtimin e dinamikës së punimeve për ndërtimin e objektit të ri të kësaj shkolle.
Gjatë qëndrimit në këtë shkollë, ministri Buja ka zhvilluar një takim edhe me mësimdhënësit e shkollës, të cilët i ka falënderuar për punën e palodhshme që po bëjnë, ndërkaq iu ka premtuar se gjatë vitit të ardhshëm shkollor do të kenë më të lehtë punën në objektin e ri, i cili do të jetë i pajisur edhe me kabinete përkatëse për zhvillimin e mësimit në bazë të standardeve bashkëkohore.
Ministri Buja, gjithashtu, ka vizituar edhe Fakultetin e Edukimit në Gjakovë, me çrast personelit mësimdhënës dhe studentëve të këtij Fakulteti iu tha që në vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i kompleksit universitar të Gjakovës. Ministri vizitoi edhe hapësirat laboratorike të Degës së Kimisë në këtë fakultet, ku ushtrimet i bëjnë edhe studentët nga qendra në Prishtinë.
Ndërkaq, kryetari Pal Lekaj ka falënderuar ministrin Buja, duke shtuar se komuna e Gjakovës ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për qendrën e re universitare të Universitetit Publik të Gjakovës. Ai, gjithashtu, tha se MASHT-i dhe komuna e Gjakovës janë përherë të angazhuara për krijimin e kushteve për mësim për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Më tej, ministri i Arsimit ka vizituar edhe qytetin e Pejës. Fillimisht ai vizitoi ambientet e Universitetit në themelimtë ardhshëm publik Haxhi Zeka në Pejë. Në takimin e shkurtër me profesorët e këtij universiteti dhe studentët, ministri Buja tha se ndjehet tejet i gëzuar që ka rastin të shpallë publikishit fillimin e punës së universitetit në themelim Haxhi Zeka.
Kjo u bë në saje të angazhimeve të përbashkëta të intelektualëve dhe qytetarëve të Komunës së Pejës dhe institucioneve të larta të vendit, me synimin më të mirë që të kemi më shumë institucione të dijes, që Kosovën vërtetë ta bëjmë shtet të dijes. Ky angazhim i yni po shkon drejt përmbushjes së dëshirave dhe ëndrrave të patriotëve dhe atdhetarëve të shumtë që e ëndërruan këtë ditë, të cilën ne sot po e gëzojmë, tha ministri Buja.
Qendra Universitare në Pejë ka simoblikën e vet,sepse deri para disa vitesh këtu ishte qendra ushtarake e Armatës Jugosllave, ndërsa nga sot e tutje do të jetë qendër e dijes, ka thënë më tej Ministri Buja.
Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i UP-së, Mujë Rugova, i cili tha se kjo që po ndodhë sot, mbase është dashur të ndodhë 100 vjet më parë, në kohën kur atdhetari i shquar Haxhi Zeka dhe bashkëmendimtarët e tij, angazhoheshin për çlirimin e vendit dhe arsimimin e popullit.
Studentët pejanë i përshëndeti edhe kryetari i komunës Ali Berisha, i cili gjithashtu ka falënderuar mninistrin Buja për mbështetjen në përshpejtimin e proceseve për themelimin e Universitetit Publik të Pejës.